23-04-2024

Shkolla “Lekë Dukagjini” në Prizren reagon për mosseriozitet rreth Garave Nacionale të Diturisë

Drejtoria e shkollës “Lekë Dukagjini” në Prizren, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit kanë reaguar lidhur me mbarëvajtjen e Garave Nacionale të Diturisë të parapara për nesër (e shtunë, 11.05.2019), shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Drejtoresha e shkollës,  Jehona Krasniqi-Morina përmes një postimi në “Facebook” ka shprehur brengën për mosseriozitet në këtë rast.

“Lidhur me njoftimin për tërheqjen e testeve për ditën e shtunë të Garave Nacionale të Diturisë, desha ta paraqes mendimin tim si drejtoreshë e shkollës, mendimin e prindërve dhe mësimdhënësve.

Që nga fillimi i nisjes së këtyre garave nacionale, në start kanë munguar sqarimet adekuate, pastaj kanë pasuar zhgënjimet e nxënësve dhe prindërve, si dhe të mësimdhënësve lidhur me garat për mendim kritik dhe shkathtësi, që nuk i është dhënë hapësirë nxënësve për paraqitjen e punimeve të tyre, që nuk ka qenë organizimi në nivel, që janë kthyer nxënësit pa e prezantuar pikën e vetë, etj, etj.

Faza e dytë për Gara Nacionale të Diturisë. Njoftimin po e marrim me date 7 maj 2019 pasdite, kur nxënësit dhe mësimdhënësit veç e kanë kryer mësimin. Asnjë sqarim nuk është dhënë rreth kohës së mbajtjes, sa do të zgjasë një test i një lënde, apo a do të jenë teste të përbashkëta, pastaj njëherë na thuhet, në test marrin pjesë komplet nxënësit, më pas na thuhet “jo vetëm nxënësit e dalluar etj, etj.

E fundit fare, për të ardhur në përfundim, që këto gara nuk janë marrë seriozisht nga organizatori, del se testet do të dorëzohen ditën e premte nëpër shkolla nga Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, e që nuk erdhën fare gjatë gjithë ditës. Më pas pason njoftimi i radhës përmes e-mailit, pas orës 12:00, se nga ora 17:00 deri ne ora 18:00, ditën e premte, 10.05.2019 drejtorët duhet të shkojnë t’i marrin testet në DKA.

Nga DKA-ja zëvendësdrejtori, të cilin e delegova për këtë detyrë, njofton se për shkollën “Lekë Dukagjini” dhe për disa shkolla të qytetit nuk ka teste, dhe që testet duhet të shkojmë t’i marrim ditën e shtunë 11.05.2019 , në ora 7:00 të mëngjesit në DKA.

Përpos që na u tha me i marrë jashtë orarit zyrtarë 17:00-18:00, pasoi parregullsia tjetër që të shtunën duhet të shkojmë para dyerve të DKA-së në ora 7:00 kur asnjë institucion legjitim nuk punon në këtë orar pa pasur ndonjë emergjencë.

Nuk mundem ta kuptoj se si nuk ka teste për njërën ndër shkollat më të mëdha të komunës! Shtrohet pyetja se sa janë marrë me përgjegjësi këto gara nga organizatori?!

Nxënësit janë ftuar që në mëngjes për plotësim të testit, ndërkaq drejtoria e shkollës duhet të vrapojë pas testeve nëpër DKA, me pikë të mëngjesit, në ditën e shtunë, e na është thënë se një ditë përpara do t’i kemi në shkolla dhe duhet të jemi konfidencial, ndryshe përgjegjësi mbanë drejtori i shkollës.

Po ku mbeti përgjegjësia e organizatorit?

Si drejtoreshë e shkollës, nuk mbaj përgjegjësi nëse do të kemi reagime nga prindërit dhe nxënësit, edhe ashtu janë të pakënaqur me fazat tjera të garës. Me organizime të tilla, të çala nuk duhet lejuar që të luhet me mësimdhënësin dhe nxënësin, e po ashtu me prindin.

Ju lus që të mos luhet me nxënësit!” thuhet në reagimin e drejtoreshës së shkollës fillore “Lekë Dukagjini, Krasniqi-Morina./GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.