25-04-2024

S’ka më kazino e bastore, policia thotë se do të veprojnë ndaj shkelësve të ligjit

Nga kjo e premte, të gjitha lojërat e fatit në vend do të konsiderohen ilegale derisa veprimtaria e tyre do të konsiderohet e kundërligjshme.

Ditën kur ka hyrë në fuqi ky ligj, shumica e këtyre lokaleve kanë vendosur ta zbatojnë atë, duke i mbajtur të mbyllura lokalet, raporton KTV.

Në disa vende janë parë edhe duke u hequr logot e këtyre bizneseve.

Por, situatë krejt ndryshe ka qenë në faqet online të bastoreve sportive. Në shumë prej tyre ende mund të luhet pa asnjë problem.

Vetëm pak ditë para se të hynte në fuqi ky ligj, ATK-ja ka kishte nisur revokimin e licencave për këtë veprimtari.

Deri më tash, janë tërhequr 40 leje.

Valentina Bytyçi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së, ka thënë se me shfuqizimin e Ligjit mbi lojërat e fatit, automatikisht shfuqizohen edhe kompetencat që ka pasur ATK-ja për monitorimin dhe licencimin e subjekteve që kanë ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit, duke bërë që kjo çështje t’u kalojë organeve të drejtësisë.

Ndërsa, Policia e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se do të ndërmarrë masa ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, derisa ka theksuar se përmes planit operativ të realizuar kohë më parë për lojërat e fatit ka ndërmarrë të gjitha masat konform autorizimeve policore.

“Policia e Kosovës, si institucion i sigurisë, në bashkëpunim me institucionet tjera si Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, përmes planit operativ të realizuar kohë më parë për lojërat e fatit, ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform autorizimeve policore. Për të gjitha këto veprime, Policia e Kosovës ka lëshuar komunikata si dhe ka mbajtur konferencë ku janë dhënë të gjitha detajet. Policia e Kosovës, bazuar në ligj, identifikon të gjithë shkelësit e ligjit dhe të njëjtit do të trajtohen sipas procedurave të parapara”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit ka thënë se nuk mund të komentojë për këtë çështje pa e analizuar bazën ligjore për fillimin e hetimeve.

“Prokurori i Shtetit është organ institucional që bën hetimin dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale dhe, sipas detyrës zyrtare, fillon hetimet në të gjitha rastet ku paraqitet dyshimi i arsyeshëm se është kryer një vepër penale. Prokurori i Shtetit nuk komenton rastet konkrete pa e analizuar bazën ligjore për fillim eventual të hetimeve. Sidoqoftë, opinioni do të njoftohet me kohë në rast se do të ketë diçka konkrete”, ka thënë Prokuroria e Shtetit.

Por, është Shoqata e Lojërave të Fatit e cila në vazhdimësi ka kundërshtuar këtë nismë.

Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Istref Veliu, kjo veprimtari tashmë do të ushtrohet në mënyrë ilegale, përmes individëve të caktuar të cilët nuk do të ndalen së luajturi dhe atë në sistemin online.

46 ishte numri i bizneseve të licencuara në veprimtarinë e lojërave të fatit deri më tani. 23 prej tyre ishin me veprimtari baste, 17 me veprimtari automate dhe 6 me veprimtari bingo.

Ndërsa në veprimtarinë me baste ishin gjithsej 306 njësi të basteve-lokaleve ndërsa 133 lokale që kanë funksionuar me automate dhe 6 lokale me bingo.

Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, pas dy vrasjeve që ndodhën në vend, e ku viktima ishin punëtorët e kazinove.

Asnjë koment

Comments are closed.