“Shkoni në restorante, paguan qeveria”, fushata e Britanisë së Madhe për rimëkëmbjen e ekonomisë
Qeveria e Britanisë së Madhe prezantoi në parlament planin me 30 miliardë paund për rimëkëmbjen ekonomike pas krizës së rëndë të shkaktuar nga pandemia koronavirus.
Synimi është që të ulet niveli i papunësisë duke ndihmuar kompanitë dhe bizneset në shtimin e stafit me uljen e taksave. Bashkë me paketën e ndihmës ekonomike, ministri i Financave, Rishi Sunak, prezantoi edhe një fushatë në ndihmë të rikthimit të klientëve në restorante dhe lokale.
“Dua të njoftoj se për muajin gusht do t’u garantoj të gjithëve në vend ulje për të ngrënë jashtë. Ushqimet që do të konsumohen në çdo biznes pjesëmarrës, nga e hëna në të mërkurë, do të jenë me 50 zbritje, për një maksimum prej 10 paundësh për person, përfshirë fëmijët”, deklaroi ministri.
Duket si një politikë socialiste, por i përket qeverisë së Boris Johnson, e cila pavarësisht gabimeve të shumta në menaxhimin e emergjencës shëndetësore ka mbështetur ekonominë britanike me një sërë masash dhe pakosh ndihme që shkojnë deri në 350 miliardë paund, sipas një vlerësimi të Financial Times.
Mes shumë politikave lehtësuese për biznesin, Sunak njoftoi edhe reduktimin e tatimit mbi fitimin nga 20% në 5% për hotelerinë dhe restorantet e baret, në mënyrë që të rigjallërohet ky sektor. Gjithashtu ekzekutivi ndau dhe 1.5 miliardë paund për kulturën, që është goditur rëndë nga kriza e paprecedentë.
Një tjetër sektor, të cilin Britania e Madhe kërkon ta mbështesë fuqishëm është ai i investimeve ekologjiste. Ekonomia e këtij shteti u tkurr me 25% në Mars dhe Prill, ndërsa rimëkëmbja parashikohet të jetë tepër e ngadaltë.