28-11-2024

Shpallet fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare ish-inspektori i ndërtimit në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren, sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas aktgjykimi të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, i akuzuari fillimisht u dënua me 6 muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo me pëlqimin e të njëjtit, dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 3,500 euro, të cilën vlerë Musliu do ta paguaj me 6 këste mujore.

Po ashtu, i akuzuari obligohet që të paguaj 100 euro shpenzime gjyqësore dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu, akuzohet se në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje, në lagjen “Jeta e Re”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2.

Ai është i përfshirë edhe në disa raste të tjera në procese gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.