Shqipëri-Kosovë në një Kuvend për 110-vjetorin e Pavarësisë
Ka nisur në Kuvend, mbledhja e parë e përbashkët Shqipëri-Kosovë, e organizuar në prag të 110-vjetorit të Pavarësisë. E para që ka marrë fjalën është kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila do të pasohet nga homologu i saj, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit Edi Rama, i cili do të pasohet nga homologu i tij, Albin Kurti. Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
10:48: Konjufca : Të jemi të bashkuar, Serbia po e lufton Kosovën nga brenda e nga jashtë
Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, në seancën e përbashkët plenare Shqipëri-Kosovë, u shpreh se 28 Nëntori i bëri tok dy vendet në Tiranë. Konjufca shtoi se aq sa duhet të festojmë, nevojitet edhe të reflektohet për shkak të trazirave që po ndodhin nëpër botë, duke shtuar se Serbia nuk e fsheh qëllimin destabilizues.
“Të dashur deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, i nderuar kryeministër Edi Rama e Albin Kurti, mysafir të nderuar zonja e zotërinj. Na ka bërë tok në Tiranë 28 nëntori, le t’i përshëndesim ngrohtësisht të gjithë shqiptarët nga këtu në të gjitha trevat, çdokund ku ata jetojnë.
Jemi këtu, jemi me ju, ju kemi në zemër, urime dita e flamurit. 28 nëntori mban aspiratat e përbashkëta dhe dashurinë e madhe për kombin tonë. Kjo ditë e ka krejt simbolikën e nevojshme për të mbajtur gjallë emocionet më të thella, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara.
28 nëntori është i gjithë shqiptarëve. Historia jonë kombëtare është një substancë. Kur ecnim në tehun e hollë të ekzistencës na mbajti gjallë dashuria jonë për gjuhën shqipe dhe lidhja jonë e fortë. Dy ngjarje të rëndësishme e kanë hapur kapitullin e mundësive, ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë. Orientimi gjeo-strategjik kombëtar është drejt BE-së, brenda NATO-s dhe me mbështetjen e Amerikës.
Aq sa duhet të festojmë, na nevojitet reflektim sepse bota sot po përballet me trazira. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj destabilizues, na lufton nga brenda e jashtë prej diplomacisë e deri te krimet brenda vendit tonë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria me Kosovën! Përkatësia më e fuqishme thoshte Sami Frashëri është kombëria, kjo na mban të sigurt! Rrnoftë Dita e Flamurit! Rrnoftë Shqypnia!
10:32- Mbledhja Shqipëri-Kosovë sjell Bashën në Kuvend pas disa kohësh mungesë
Mbledhja e parë e përbashkët Shqipëri-Kosovë ka sjellë ditën e sotme në Kuvend edhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ish-kreu i të djathtëve shihet i ulur bashkë me ligjvënës të tjerë të Partisë Demokratike ndërsa në Parlament sapo ka nisur seanca e përbashkët në prag të 110-vjetorit të Pavarësisë.
Kujtojmë se Basha ka munguar kryesisht në seancat plenare që prej daljes së informacioneve se PD kur drejtohej nga ai ka marrë financime nga Rusia. Ish-kryedemokrati ka qenë prezent për herë të fundit në Parlament një mesnatë për të votuar.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbërritur mëngjesin e së dielës në ambientet e Kuvendit do të mblidhen bashkë qeveria e Kosovës me atë të Shqipërisë me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë.
Ndërsa prezantohej me punimet e sjella nga delegacioni i Kosovës, Berisha tha se aty mungonte një stendë e zezë ku të vendoseshin personalitetet antikombëtare. Si të tillë, kryedemokrati listoi Ramën dhe diktatorin Enver Hoxha, ndërsa shtoi se historia duhet parë me të gjitha dritëhijet e saj.
“Do të doja të kishit një stendë të zezë ku të vendoseshin personalitetet antikombëtare të tipit, Enver Hoxhës dhe Edi Ramës, si vëllahut të Vuçiçit që i thotë ky për të tall kosovarët. Historinë duhet ta shohim siç është me të gjitha dritëhijet e saj. Faleminderit për punën që keni bërë,” u shpreh Berisha.
/abcnews.al/