Shqipëri: Nuk ka falje, 105 mijë gjobat për maska qytetarët do t’i paguajnë në faturat e energjisë edhe pas një viti
Nëse jeni gjobitur për mosmbajtje të maskës në rrugë pas tetorit 2020, mos u habisni kur ta shihni gjobën të shtuar në faturën e energjisë elektrike një vit më pas, raporton EuroNews Albania.
Juristit Ledio Braho, gjoba i erdhi 3 muaj më pas. Çështjen e fitoi në Gjykatë Administrative, por megjithatë gjoba nuk u hoq nga fatura e dritave.
“Edhe pse policia e shtetit ishte palë në gjykim nuk e kishte përcjellë vendimin e gjykatës tek OSHEE. Duke vënë në ekzekutim nëpërmjet shërbimit përmbarimor u hoq edhe nga sistemi i OSHEE, u krye edhe veprimi nga policia e shtetit”, tregon juristi.about:blank
Edhe pse që prej majit të këtij viti nuk është më e detyrueshme mbajtja e maskës në ambientet e jashtme, policia bashkiake dhe ajo e shtetit kanë dërguan në OSHEE për vjelje rreth 105 mijë gjoba.
Rreth 60 mijë prej tyre janë kthyer mbrapsht si të pasakta për mungesë të dhënash, kryesisht për shkak të mungesës së një kontrate me OSHEE apo ID e pasaktë.
Deri në korrik OSHEE kishte në proces përpunimi rreth 40 mijë gjoba. 8 mijë i janë dërguar drejtorisë së sistemit të faturimit dhe vetëm 1300 ishin arkëtuar.
Gjobat nisën të vendoseshin që prej marsit 2020, kur shpall dhe gjendja e emergjencës.
Që prej asaj periudhe policia e shtetit 109.603 gjoba u vunë për të “pabindurit” që nuk vendosnin maskat, hapnin lokalet, dilnin përtej orës policore, përdornin muzikën apo grumbulloheshin përtej numrit të lejuar. Por një pjesë e tyre u falën 2 herë nga kryeministri Edi Rama në prill dhe tetor të vitit të shkuar.
Me një seri gjyqesh në Gjykatë Administrative kundër këtyre gjobave, mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë amnisti të tretë.