Shqiptarët presin me padurim ndeshjen Zvicra-Serbia
Si asnjëherë më parë, shqiptarët, sidomos ata nga Kosova, po ndihen të përfaqësuar nga futbollistët shqiptarë që luajnë për Zvicrën.
Paraqitja impresive e Valon Behramit ndaj Brazilit, në të cilën ndeshje ndali vazhdimisht Neymarin, por edhe paraqitja e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës e Blerim Xhemailit në atë sfidë, ka bërë që shqiptarët të ndiejnë se kanë “hise” në paraqitjen e Zvicrës në botërorin në Rusi.
Por ndeshja ndaj Brazilit duket të ketë qenë vetëm “ngrohje”, marrë për bazë interesimin e shqiptarëve për ndeshjen e Zvicrës me Serbinë, që zhvillohet të premten (sonte) prej orës 20:00 në Kaliningrad. Ka shumë interesim për paraqitjen e shqiptarëve të Zvicrës në këtë ndeshje, transmeton Koha Ditore.
Pritjet e tifozëve shqiptarë të futbollit janë që Behrami, Shaqiri, Xhaka e Xhemaili, të përfaqësojnë mirë shqiptarët në një ndeshje të veçantë dhe me peshë të madhe emocionale për shqiptarët, sidomos ata nga Kosova. Një fitore e Zvicrës ndaj Serbisë me shkëlqim të shqiptarëve në fushë, vlerësohet se mund të jetë momenti kulmor i botërorit për shumë prej tifozëve shqiptarë.