13-05-2024

Shqiptarit të dyshuar për Masakrën e Izbicës i caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.A. për veprat penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Atij i është caktuar një muaj paraburgim.

Sipas njoftimit nga Gjykata, i pandehuri M.A. dyshohet se me datë 28.03.1999 rreth orës 07:00 së bashku me një grup i përbërë mbi 50 veta të forcave ushtarake dhe policore serbe, kishin hyrë në fshatin Izbicë, fillimisht e kishin bombarduar fshatin duke shkatërruar shtëpitë dhe pasurinë e civilëve dhe në këtë mënyrë i kishin detyruar civilët që të dalin nga shtëpitë dhe i kishin grumbulluar në një vend dhe me forcë dhe kërcënim i kishin detyruar gratë dhe fëmijët që të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës, ndërsa mbi 140 burra i kishin grumbulluar në një vend të quajtur ‘’Kodra e Zallit’’ dhe të njëjtit i kishin vrarë.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehurit në liri mund të arratiset nga vendi apo fshihet me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonte në zvarritjen e procedurës penale.

Asnjë koment

Comments are closed.