19-04-2024

SHSKUK dhe Spitali i Prizrenit refuzojnë të paguajnë pagat jubilare

Koordinatori për çështje juridike në Shërbimin Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Dibran Zogaj, sot ka kundërshtuar kërkesën e paditëses Myfide Krasniqi, për të marrë pagat jubilare, ashtu siç e parasheh Kontrata Kolektive, me arsye se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për çështje të tilla.

Zogaj ka thënë se megjithëse Qeveria e Kosovës ka nënshkruar Kontratën Kolektive, ajo nuk i ka alokuar mjetet financiare në dikasteret përkatëse, me anë të të cilave do të zbatohej ajo, andaj në mungesë të fondeve, ai ka thënë se nuk mund të pranojnë kërkesën e paditëses.

Ai ka thënë se padia është bazuar në një kontratë me afat tre vjeçar, nga viti 2015 deri në vitin 2018, e cila asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet sepse Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet shtesë për implementimin e saj.

Ai i ka paraqitur gjykatës disa dokumente me të cilat sipas tij, dëshmon se ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu, i është drejtuar Ministrisë së Financave, për të ndarë një buxhet shtesë për SHSKUK-në dhe Spitalet e Përgjithshme, prej rreth 3 milionë euro, në të cilën parashihen 250 mijë euro për pagesat e pagave jubilare.

Kërkesën e paditëses e ka kundërshtuar edhe i autorizuari i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Sami Ahmetaj, i cili ka thënë se pasi që spitali ka vijë të njëjtë buxhetore me SHSKUK-në, atëherë nuk mund ta përmbushin kërkesën e paditëses, në mungesë të mjeteve financiare.

Gjyqtarja e rastit, Edije Sezairi, ka shpallur të përfunduar këtë çështje civile, ndërsa palët i ka njoftuar se me vendimin e saj do të njoftohen përmes aktgjykimit me shkrim i cili do t’u dorëzohet brenda afatit të paraparë ligjor.

Ndryshe, kjo çështje civile zhvillohet në bazë të padisë së ushtruar nga Myfide Krasniqi, me të cilën ajo kërkon që të realizojë të drejtën e saj në tre paga jubilare pasi që e njëjta ka punuar për më shumë se 30 vite në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

Paditësja Krasniqi, përmes padisë kërkon që gjykata të obligojë të paditurën që asaj t’ia paguajë 1.359 euro në emër të tri pagave pas pensionimit dhe ato jubilare, 15 pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, me kërcënim të përmbarimit të dhunshëm./betimiperdrejtesi/

 

Asnjë koment

Comments are closed.