25-11-2024

ShSKUK-së i teprojnë afro 1.2 milion euro për barna, pacientët blejnë albumina dhe terapi të tjera

Ka gati një muaj që albuminat mungojnë në Klinikën e Anestezionit me Mjekim Intensiv, ani pse sipas anesteziologëve kjo aplikohet tek shumica e pacientëve, për shkak të qëndrimit të gjatë  të tyre në shtrat, dhe mos ushqyerjes natyrale.

Familjarët e pacientëve të shtrirë prej muajsh në këtë klinikë tregojnë se këtë terapi e blejnë pothuajse çdo ditë dhe se kostoja e një ampule është 33 euro, veçse ju kërkohen dy sosh brenda ditës të cilat kushtojnë mbi 60 euro.

Albumina nuk ka as në Klinikën e  Gastroenterologjisë, njofton Klan Kosova.

“35 euro një ampulë, një në 24 orë ia jepin”, kështu tregon një familjar i pacientit të shtrirë në Gastroenterlogji.

Në fakt nga kjo del që albuminat nuk shiten me çmim të njëjtë në barnatoret private, një ampule 50 mg diku është 32 euro, në vende të tjera  33, 34 dhe deri në 35 euro. Ani pse në të kaluarën çmimi i tyre sillej rreth 20 euro.

Sipas familjareve të pacientëve, këto nuk janë mungesat e vetme. Madje as  infuzion prej 100 ml nuk ka në klinikat e QKUK-së.

“Prej fillimit që kena ardh këtu, që dy javë e blejna gjithë prej ditës të parë,.., veç e para është 35 euro të gjitha këto për një ditë kushtojnë diku 55-60 euro”, tregon familjari.

Derisa barna mungojnë, televizioni mëson së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës nga 4 milionë euro që i kanë tepruar  në 2022-ën,  për to kanë qenë të destinuara afro 1.2 milion euro.

Nga ShSKUK thanë se së shpejti do të fillojë furnizimi me barna dhe material medicinal.

Asnjë koment

Comments are closed.