Shkruan: Qazim Morina
Në garën për deputetë nga Prizreni për zgjedhjet qendrore të 6 tetorit, nga subjektet politike shqiptare kandidojnë edhe shtatë anëtarë të organit më të lartë lokal, Kuvendit Komunal, ndërsa njëri prej tyre Xhavit Ukaj (LDK) pas kandidimit ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Pos tij, në këtë grup bëjnë pjesë edhe kuvendarët: Sadije Osaj-Jakupi (LDK), Artan Abrashi (Kryesues i KK-së) e Dafina Alishani (Vetëvendosje), Alush Shala e Ilir Baldedaj (AAK), dhe Shukri Quni (Nisma.)
Sipas informacioneve edhe kuvendar nga partia e komunitetit turk pretendojnë ulëse në Parlamentin e vendit. Kësaj gare i ka hyrë edhe Sencar Karamuço nga KDTP (nënkryetar i KK-së).
Vlen të përmendet se numri më i madh i kandidatëve kandidojnë për herë të parë edhe nga LDK, Vetëvendosje, AAK-PSD dhe Nisma-AKR.
Në listat e subjekteve politike, nga Prizreni është edhe një numër i grave apo 11, që kandidojnë për përfaqësim në Kuvend. Tetë prej tyre i kanë hyrë një gare të këtillë për herë të parë.
Përpos PDK-së, çështje të cilën e kemi trajtuar në shkrimin e djeshëm, nga LDK në ish-përbërjen e Kuvendit të Kosovës, kanë qenë tre deputetë, të cilët sërish kanë rikandiduar. Pos Anton Qunit, Driton Selmanajt e Haxhi Avdylit, listës tashmë i janë shtuar edhe Hatim Baxhaku, Xhavit Ukaj, Sadije Osaj-Jakupi, e Hyre Tejeci. Karakteristikë është se Baxhaku ishte edhe më parë pjesë e Kuvendit, sikur një kohë edhe Ukaj.
Pos Arbër Rexhajt e Drita Millakut, kandidatë të rinj nga Vetëvendosja janë edhe Artan Abrashi, Hajrullah Qeku, Yllza Hoti e Dafina Alishani.
Nga tetë kandidatë sa ka AAK, shtatë garojnë për herë të parë. Pos Lulëzim Kabashit, pjesë e listës së këtij subjekti janë edhe Alush Shala, Ilir Baldedaj, Ramiz Lugaxhiu, Resul Sinani, Luljeta Berisha dhe Ramize Sinanaj-Shala.
Nisma ka vendosur që pos ish-dy deputetëve Zafir Berisha e Albulena Balaj-Halimaj, të kandidojë edhe emra të rinj si Afrim Tejecin, Shukri Qunin, Afrim Bekteshin, Hasan Ahmetajn, Adem Qemajlin dhe Arbana Hajdarin.
Karakteristikë është se pos ish-deputetes Halimaj, në renditjen e këtij subjekti në top-dhjetëshen e parë apo në numrin shtatë rangohet edhe Z. Berisha. /GazetaePrizrenit.net/
Lexo edhe: