Shtesa prej 10 euro nuk mbulon shpenzimet esenciale për rritjen e fëmijëve

Shtesa prej 10 euro në muaj për fëmijët në Kosovë po konsiderohet e pamjaftueshme për nevojat elementare për rritjen e tyre, duke pasur parasysh standardet ekonomike në vend.

Në Kuvendin e Kosovës të hënën u dorëzua një Projekt-rezolutë, përmes së cilës është propozuar që fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç të marrin shtesa prej 10 euro në muaj.

Por, për prindërit kosovarë, këto mjete po konsiderohen mjaft të ulëta, duke pasur parasysh shpenzimet me të cilat përballen.

Ardonita Koxha nga Ferizaj, nënë e një fëmije 17-muajsh, ka thënë për KALLXO.com se këto para nuk janë të mjaftueshme për nevojat e vajzës së saj.

“Mendoj se 10 euro janë të pamjaftueshme për fëmijën tim. Do të më kishin ndihmuar shumë pak. Këto të holla do të kisha mundur t’i shfrytëzoja vetëm për pelena, edhe pse ato para as për dy javë nuk mjaftojnë”, tha ajo, duke shtuar se minimumi i shpenzimeve që i bën në muaj për vajzën e saj është 100 euro.

Njësoj shprehet edhe Besim Troshupa nga Lipjani, baba i një fëmije 1-vjeçar.

Sipas tij, 10 euro nuk janë aspak të mjaftueshme.

“Ndoshta as nuk do ishin vërejtur ato 10 euro si ndihmesë pasi shpenzimet janë goxha të mëdha. Një pako me pelena kushton aq, në mos edhe më shumë. Po të ketë kontrolla rutinore tek doktori, ndonjë grip apo ndonjë inflamacion tjetër të fëmijës, shpenzimet janë të mëdha vetëm për një ditë e lëre më për tërë muajin”, tha ai për KALLXO.com.

Ai shtoi se përafërsisht për një muaj shpenzon minimalisht 150 euro për nevojat e fëmijës.

Iniciativa për shtesat e fëmijëve po cilësohet si e vonuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Donjeta Kelmendi nga KOMF ka deklaruar për KALLXO.com se rekomandimin për shtesat e fëmijëve kjo organizatë e ka bërë qysh në vitin 2015, te Qeveria e Kosovës dhe partitë politike.

Çmime të larta, paga të ulëta

Çfarë mund të blejnë prindërit për fëmijët e tyre me 10 euro në xhep?

Për të kuptuar këtë, KALLXO.com ka vizituar disa barnatore dhe qendra tregtare në Prishtinë për të parë vlerën e disa produkteve kryesore ushqimore dhe higjenike për fëmijë.

Çmimet e qumështit për fëmijët e moshës nga 0 deri në 12 muaj, variojnë nga 4.80 euro deri në 15 euro. Qumështi i markës “Nan”, ka vlerën 4.80 euro, “Humana” 5.30 euro, ndërsa qumështi “Aptamil” ka çmimin 14.80 euro.

Ndërkaq, çmime të larta në treg kanë edhe biberonët, që kapin vlerën nga 3 deri në 15.30 euro.

Çmimi i pelenave, disa prej të cilave janë “Pampers”, “Diana”, “Trudi” e të tjera, nëpër pika shitëse, varion nga 5 deri në 18 euro, ndërsa letrat higjienike kanë çmimin mesatar prej 1.50 euro.

Pastat e dhëmbëve për moshën 0 deri në 6 vjeç, kanë vlerë minimale 1.50 euro, kurse, brushat për pastrimin e dhëmbëve, kanë çmime të ndryshe, nga 1.50-3.50 euro.

Produkte të domosdoshme gjatë rritjes së fëmijëve janë edhe medikamentet. Shurupi për ftohje “Dea”, i cili është produkt vendor, në treg mesatarisht ka çmimin 2 euro, ndërsa produkte të tjera të shurupeve kanë vlerë edhe mbi 5 euro.

Hiç më lirë nuk kushtojnë as veshmbathjet për fëmijë, çmimet e të cilave ndryshojnë varësisht prej dyqaneve.

Me gjithë shpenzimet e mëdha dhe nevojat për konsum, paga minimale në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për personat nën moshën 35 vjeç është 135 euro, ndërsa për ata mbi 35 vjeç është 170 euro.

Ndërkaq, çmimet e konsumit në vend, gjatë muajit shtator të këtij viti kanë shënuar rritje.

Sipas të dhënave të ASK-së, rritje është shënuar në çmimin e bukës, drithrave, perimeve dhe veshjeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.1% në muajin shtator 2018, krahasuar me muajin gusht 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.5%); perime (2.5%); veshje (1.9%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4% në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së.

Shtesat për fëmijë në Kosovë, krahasuar me shtetet e rajonit

Në kohën kur Kosova ende po e diskuton mundësinë që të ndajë shtesa për fëmijë, shtetet e rajonit si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia kanë planifikuar që t’i ndryshojnë politikat sociale, duke propozuar rritje të ndihmave sociale dhe shtesave për fëmijët.

Në Shqipëri këtë vit është premtuar një bonus për të posalindurit, me qëllim që të stimulohet nataliteti.

“Duke filluar nga muaji Janar 2019, çdo fëmijë që lind do të përfitojë bonus të shumëfishuar. Vlera për mirërritjen e fëmijëve do të jetë 40,000 lekë (319 euro)  për fëmijën e parë, 80,000 (638 euro) për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë (959 euro) për fëmijët e tretë, të katërt e me radhë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sipas Ministrisë, në total fondi i vendosur në dispozicion për këtë program shkon në rreth 20 milionë dollarë.

Edhe në Serbi, këtë vit është marrë vendim që  të shtohet shtesa financiare në familje, për fëmijën e parë, të dytë, të tretë dhe më shumë. Sipas raportimeve të mediave vendore, vlera e shtesave është nga 170 deri në 900 euro, për fëmijët deri në moshën 10 vjeçare.

Nga janari i vitit të ardhshëm, shtesa për fëmijët dhe prindërit e punësuar janë paralajmëruar të ndahen nga Qeveria e Maqedonisë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski tha se nga 1 janari i vitit 2019 numri i fëmijëve të cilët do të shfrytëzojnë kompensimin shtesë prej 3200 sa janë aktualisht do të rritet në 73 mijë e 500 fëmijë përfitues, pasi sipas tij,  këtë volitshmëri do ta shfrytëzojnë edhe familjet te të cilat njëri prind është i punësuar dhe merr pagë minimale.

Kurse i pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se shuma prej 10 eurosh për shtesat e fëmijëve mund të rritet.

“Kjo projekt-rezolutë parasheh që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzojë shtesa, çdo muaj, duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore, kjo shumë edhe mund të rritet. Bëhet fjalë për rreth 500 mijë fëmijë në tërë Kosovën që do ta gëzojnë këtë të drejtë. Projekt-rezoluta për shtesat e fëmijëve është një nga hapat e Qeverisjes sime për të zhvilluar politika të qëndrueshme në mbrojtjen e fëmijëve dhe familjes”, ka shkruar kryeministri në rrjetin social Facebook.

Në anën tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica, ka kërkuar që të krijohet fond për shtesa të fëmijëve, në mënyrë që të mos rrezikohet buxheti i shtetit.

Ndërsa, fati i Projekt-rezolutës për shtesa të fëmijëve, e propozuar nga deputetë të AAK-së, është në duar të Kuvendit të Kosovës. /kallxo.com