Shtetasi i Shqipërisë dënohet me gjobë e burgim me kusht për dhënie të 50 eurove ryshfet, dëbohet edhe nga RKS

Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, shtetasin e Republikës së Shqipërisë, Ervis Rama, e ka dënuar me 350 euro gjobë dhe katër muaj burgim me kusht, për dhënie të ryshfetit në vlerë prej 50 euro.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Raime Elezi, dënimi me burg ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet, nëse në periudhë verifikuese prej një viti i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja ka shqiptuar edhe dënim plotësues, konfiskimin e kartëmonedhës në vlerë 50 euro, si dhe dëbimin e të akuzuarit nga territori i Republikës së Kosovës në afat prej 3 viteve.

Ajo po ashtu të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro, si dhe 50 euro të tjera në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave.

Deri te shpallja e këtij aktgjykimi ka ardhur pasi që i akuzuari, paraprakisht, ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Prokurorja Ervehe Gashi ka thënë se i akuzuari Rama, pas konsultave me mbrojtësin e tij, avokatin Hasan Biraj, pas negocimit ka lidhur marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në mënyrë vullnetare dhe pa presion.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Bira  i ka propozuar gjykatës që pranimin e fajësisë ta marrë si rrethanë lehtësuese.

Ai ka deklaruar se qëndrojnë pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se e lusin gjykatën që të mbrojturit t’i shqiptoj dënim minimal.

Tutje, avokati Biraj ka kërkuar që Ramës t’i ndërpritet edhe masa e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 13 prill 2021, ka ngritur aktakuzën ndaj Ervis Ramës, të  cilin e ngarkon me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ervis Rama, në mënyrë të drejtpërdrejtë i jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar, në mënyrë që ai person të mos veproj në pajtim me detyrat e tij zyrtare. Në aktakuzë thuhet se më 6 prill 2021, në ora 17:48 minuta, duke kaluar si pasagjer në pikën kufitare Shqipëri-Kosovë, në fshatin Vërmicë, Komuna e Prizrenit, me automjetin e tipit “Mercedes Benz E220 CDI”, ngjyrë gri, pronë e Alert Agoviq nga Shkodra, të cilën e drejtonte Elis Doçi, pasi ndalohet automjeti në fjalë nga zyrtari policor B.Hoxha, në lejen e qarkullimit të automjetit vetë e kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej 50 euro dhe kur është pyetur se pse është kartëmonedha e vendosur aty, në atë moment ka reaguar duke i thënë se “këto të holla i kam futur unë për ju, për ta pi një kafe”. /BetimipërDrejtësi