Shtetrrethimi serb në Lugishtë të Hasit, frikësimi i nxënësve dhe ngujimi i banorëve më 1998 (Pjesa 1)
Shkruan: Msc. Qazim Morina
Skenarin e njëjtë të shtetrrethimit të fshatit, duke ngujuar të gjithë banorët pa marrë parasysh moshën e gjininë, të zbatuar më parë në fshatrat kufitare fqinje të Hasit: Kushnin e Kabash si dhe në Ramajë, Ushtria në bashkëpunim me policinë serbe, gati pas dy muajsh e përsëriti edhe në fshatin Lugishtë të Hasit.
Nga viti 1991, sidomos me fillimin e luftës çlirimtare, nëpër këtë fshat për në Shqipëri përmes malit të Pashtrikut kishte kaluar një numër i madh i bashkatdhetarëve, të cilët punonin përkohësisht jashtë Kosovës, por që për shkak të luftës në Bosnjë e Kroaci nuk mund të udhëtonin lirshëm nëpër ish- republikat jugosllave . Këtë rrugë e shfrytëzonin edhe shumë veprimtarë kombëtarë, që për mungesë vize, dëshironin ta vizitonin Shqipërinë, pastaj të rinj që kishin refuzuar shkuarjen në ish-ushtrinë jugosllave si dhe studentë shqiptarë. Më vonë, Lugishta ishte relacioni më i frekuentuar edhe i pjesëtarëve të UÇK-së. Për këtë, kjo pjesë e Hasit ishte në shënjestër të policisë e ushtrisë.
14 prilli i vitit 1998, sikur ishte një ogurkeq për Lugishtën. Pas rënies heroike e Komandantit Legjendar Adem Jasharit në Prekaz, policia serbe me pretekst të informacioneve për lëvizjet e UÇK-së, uniformat dhe armatimin e tyre, ka ftuar në Stacionin e Policisë në Prizren, kryesinë e fshatit Lugishtë. Islam Osmankaj, Rizë e Miftar Muqaj, Neki Gigollaj, Skender Musaj e të tjerë janë maltretuar fizikisht. Më së keqi e kishin pësuar Islami dhe Riza, të cilët janë mbajtur më së gjati në dhomat e sigurimit dhe janë liruar natën. “Shkaku i rrahjes së rëndë deri në alivanosje, kur kam dalë nga policia për të ecur më është dashur të mbahem për muret e shtëpive, pasi nuk mund të qëndroja dhe kështu kam shkuar deri te barnatorja e Dr. Baki Hajdarit, (afër Stacionit të Autobusëve) që më ka ndihmuar”, kujton Riza Muqaj.
Në Prizren, sikur edhe në Kosovë, pas vitit 1995 kishin sjellë serbë nga Kroacia dhe Bosnja, duke u dhënë pozita në polici.
Islam Osmankaj tregon se njëri nga policët, që në gjuhën serbe ishte prezantuar si Zoran e kishte kërcënuar me fjalët “Mbaje mend emrin tim. Kam qenë në luftën e Bosnjës ku kam pirë gjak myslimanësh, ndërsa tash do të pi edhe gjak shqiptar”.
Pas ofensivës së forcave serbe ndaj UÇK-së në vjeshtë të vitit 1998, Lugishta kishte mbetur ndër korridoret e pakta nëpër të cilin me shumë vështirësi furnizohej me armatim UÇK. Ndonëse policia serbe nuk lëvizte e uniformuar, kjo zonë vëzhgohej rreptë.
Paraditen e 11 nëntorit 1998, disa automjetet me policë e ushtarë serbë zbarkuan në oborrin e shkollës së Lugishtës, ku sipas planeve të Kosovës po vijonin mësimin rreth 650 nxënës. Ata hynë në disa klasë, urdhëruan lirimin e nxënësve për në shtëpi, ndërsa mësuesve u thanë të qëndronin në shkollë. Kjo kishte shkaktuar frikë tek fëmijët dhe personeli arsimorë. Meqë nxënësit refuzuan dhe filluan të qanin, atëherë u liruan bashkë me mësimdhënësit.
Dy pjesëtarë kishin hyrë në zyrën e drejtorit të shkollës, Isa Osmankaj. Kërkesa e tyre ishte t’ua jepte vulën, që përdorej për protokollimin e dokumenteve të lëshuara nga shkolla.
Vula mbante mbishkrimin “Republika e Kosovës – Shkolla fillore “Pjetër Budi” Lugishtë e Hasit”. Ish drejtori thotë se njëri prej zyrtarëve serbë, mori një fletë të bardhë, vulosi në disa vende, duke pyetur se çfarë nënkuptonte mbishkrimi “Republika”, kush ia kishte dhënë dhe nëse kishte edhe ndonjë vulë tjetër.
“Pasi e mori vulën e mbështjellë në letrën e vulosur, me ton kërcënues më urdhëroi ndërprerjen e mësimit, lirimin e të gjithë nxënësve në shtëpi, në mënyrë që së bashku me familjet e tyre në ora 15:00, të grumbulloheshin në mes të fshatit tek vendi “Fusha e Kronit” ,dhe se kjo vlente edhe për mua” , kujton Isa Osmankaj.
Banorët pa dallim gjinie e moshe ishin tubuar sipas urdhrit. Edhe në këtë rast, pretekst ishte kërkimi i armëve, të cilat sipas tyre i mbanin fshehurazi fshatarët.
Para turmës, duke ia përmendur çështjen e vulës, komandanti i operacionit para të pranishmëve fillimisht i ishte drejtuar drejtorit të shkollës, duke i thënë se ata kishin ardhur për t’i vetëdijesuar dhe se kjo vizitë do të jepte efekte. Drejtori ishte kërcënuar se do të pushkatohej, që t’i jepej mësim popullatës.
Kjo shkaktoi frikë, sidomos të fëmijët e gratë, se çfarë po ndodhte me fatin e tyre, aq më tepër kur diheshin masakrimet në vendet tjera
Vazhdon nesër pjesa II: Çfarë ndodhi të më tej në Lugishtë, ku ditën e rrethimit në fshat qëlluan edhe eprorë të lartë të UÇK-së, ku ishin strehuar dhe si arritën të dalin ata…
Lexo edhe:
Tmerri në Romajë: Ankthi i natës, granatimet, plaçkitjet dhe djegia e shtëpive (Pjesa 2)