16-04-2024

Shtyhet gjykimi ndaj drejtorit të Arsimit në Mamushë dhe drejtorit të shkollës “Ataturk”

Mungesa e avokatit Naim Kurtishi ka qenë arsyeja që është shtyrë seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku drejtori i Arsimit në Komunën e Mamushës, Cafer Morina dhe drejtori i shkollës së mesme në këtë komunë “Ataturk”, Rifat Krasniç akuzohen për korrupsion.

Gjykatësi Xheladin Osmani bëri të ditur se avokati Kurtishi, i cili mbron të akuzuarin Krasniç, përmes një parashtrese e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezent në seancë për shkak se ka rast vdekje në familje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në sallë të gjykimit ka munguar edhe i dëmtuari Ramadan Shanli, kurse ishin të pranishëm përfaqësuesit e palës së dëmtuar, avokatët Gent dhe Blend Gjini, dy të akuzuarit dhe mbrojtësi i të akuzuarit Morina, avokati Fatmir Jelliqi.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e së hënës u shty për 11 janar 2022, në ora 10:00.

Sipas aktit akuzues, këtë e kanë bërë në atë mënyrë që të pandehurit themelojnë marrëdhënie pune me mësimdhënësit Kenan Morina dhe Fahri Morina në shkollën e mesme “Ataturk”, si dhe i akuzuari i parë Cafer Morina themelon marrëdhënie pune edhe në shkollën fillore “Anadolu” me mësimdhënësen Hysnie Qabrati dhe në shkollën “Zybejde Hanem” me mësimdhënësin Shakir Mazrek, pa zhvilluar procedurë konkursi dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin e Punës, konkretisht nenin 8.

Me këto veprime, Cafer Morina dhe Rifat Krasniç akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”/BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.