25-04-2024

Shtyhet rigjykimi ndaj ish-policëve të akuzuar për marrje ryshfeti në Prizren

Sot, pritej të fillonte rigjykimi kundër ish-policëve Neshat Avdaj, Driton Bajrami, Myzafer Sylejmani dhe Binak Bytyqi, të cilët akuzohen se duke punuar si policë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit, mirëpo gjykimi është shtyrë sepse ka munguar mbrojtësi i të akuzuarit Bytyqi, avokati Rexhep Hasani.

Avokati Hasani, me anë të një parashtrese ka njoftuar gjykatën se për arsye objektive nuk mund të merr pjesë në këtë shqyrtim dhe ka kërkuar që i njëjti të shtyhet për një datë tjetër.

Bazuar në rrethanat, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, shqyrtimin gjyqësor në këtë rast penal e ka shtyrë për 29 qershor 2018, duke filluar nga ora 10:00.

Më 24 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Në nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar të akuzuarin Neshat Avdaj me 2 mijë euro gjobë dhe me burgim efektiv prej një viti, ndërsa të akuzuarit Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, me nga 1500 euro dhe me nga 8 muaj burgim efektiv, të cilët gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin pranuar fajësinë.

Ndërsa, i akuzuari i katërt, Binak Bytyqi, ishte liruar nga akuza për marrje ryshfeti me arsyetimin se nuk është arritur të provohet akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Mirëpo, më 29 mars 2018, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mbrojtësve të të akuzuarve Bajrami dhe Sylejmani, duke kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas vendimit nga Apeli, rasti është kthyer në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimi i gabuar i ligjit penal dhe kundërthënieve në mes dispozitivit dhe arsyetimit.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjyqtari i shkallës së parë ka liruar njërin prej të akuzuarve duke pretenduar se masat e fshehta nuk janë zbatuar në përputhje me Kodin e Procedurë Penale, mirëpo gjatë arsyetimit thirret në provat që kanë dalë si pasojë e atyre masave të fshehta./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.