Shtylla elektrike rrezikon banorët e një rruge në lagjen “Jeta e Re” të Prizrenit
Periferia e Prizrenit preokupohet me disa probleme. Ndër to janë edhe shtyllat elektrike të vjetërsuara, që përbëjnë rrezik permanent të rrëzohen. Kjo do të ishte me pasoja për jetën e njerëzve, e sidomos të fëmijëve, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Një rast i tillë është edhe në rrugën “Mbreti Longar”, që ndodhet në lagjen “Jeta e Re”, ku një shtyllë mund të bie në mes rrugës, nëse nuk ndërmerren masa për ndërrimin sa më të shpejtë të saj.
Hasan Parallangaj, banor i rrugës, thotë se rastin e ka lajmëruar tek kompetentet e KEDS në Prizren, shtatë muaj më parë, por nuk ka pasur intervenim.
Për rastin, javë më parë është lajmëruar edhe polica, ndërsa e tëra ka përfunduar vetëm me fotografimin e shtyllës nga punëtorë të KEDS-it.
Banorët shprehen për portalin “Gazeta e Prizrenit” se nuk dinë si të veprojnë, pasi ata e kanë kryer obligimin qytetar, por askush nuk ndërmerr asgjë.
“Nuk di kush duhet t’i mbrojë jetët e qytetarëve, pasi kam informata se edhe Komuna si pushtet vendor nuk ka kompetenca mbi KEDS. Vallë, kujt t’i drejtohemi si qytetar ? Mbase Komitetit Ndërkombëtar për Të Drejtat e Njeriut në Nju Jork !!!”, thotë aktivisti, Beqir Letaj. /GazetaePrizrenit.net /