Si erdhi deri tek arrestimi i zyrtarëve komunal të Prizrenit, që kundërligjshëm ndërruan parcelën komunale me atë private!
Dyshohet se ata kanë bërë tjetërsim të pronës komunale, në qendër të Prizrenit, duke ndërruar pronën komunale me atë private, pa vendim të Kuvendit Komunal të Prizrenit. Dhe kjo është konsideruar si shkelje ligjore.
Gazeta Blic, ka siguruar edhe dokumentin, ku dyshohet se kundërligjshëm është bërë ndërrimi i tokës që ishte në pronësi të Komunës dhe asaj private, pa vendim të Kuvendit Komunal.
Parcela e hijezuar me ngjyrë të portokalltë ka kaluar nga pronësia komunale në atë private dhe anasjelltas
Vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, ka bërë rregullimin dhe përtrirjen e megjave.
Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit:
Ishte janari i vitit të kaluar, kur Gjykata Themelore e Prizrenit, kishte nisur hetimin për devijimin e vijës ndarëse mes një prone komunale dhe asaj private.
Në këtë hetim ishin angazhuar ekspertë të kadastrit, të cilët pas matjes së dy parcelave, kishin ardhur në përfundim, që një pjesë parcelës që ishte në pronësi të Komunës së Prizrenit, kishte kaluar në pronësi private, duke bërë kështu shkelje ligjore.
Në arsyetimin e vendimit nga ana e Gjykatës, thuhet se mes dy parcelave do të ndodhë një ripërtritje e vijës ndarëse (megja v.j).
“Gjykata në vend ka angazhuar ekspertin e gjeodozisë Avdi Gashi i cili në vendin e ngjarjes pas kryerjes së matjeve të nevojshme me instrumentin për matjen e saktë, gjykatës ia ka paraqitur raportin me shkrim dhe skicën, përikatiazi me cështjen në fjalë, mbi mënyrën e rregullimit, respektivisht ripërtrirjes e megjeve. Në mes këtyre dy parcelave është bërë ndryshimi i vijës kufizuese me vijë të re kufizuese, me crast është bërë bartja e një pjese të sipërfaqes nga parcela katastrale e propozuesit tek parcela kat. propozuesit dhe anasjelltas. e më detajisht të përshkruar në raportin dhe skicën e ekspertit të gjeodozisë së datës 15.01.2019″, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Arsyetimi i Gjykatës mbi vendimin për arrestimin e dy zyrtarëve komunalë
E, arrestimi i tyre është konfirmuar edhe nga ana e Policisë së Kosovës. Në raportin 24 orësh, thuhet se me datë 16 janar, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K-Shqiptarë zyrtarë në Kuvendin Komunal në Prizren, pasi që dyshohet se kanë bërë keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
“KEQPËRDORIM I POZITËS ZYRTARE: Prizren 16.01.2020-09:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K-Shqiptarë zyrtarë në Kuvendin Komunal në Prizren, pasi që dyshohet se kanë bërë keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar. Me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhej në raportin e Policisë së Kosovës.
Dega e AAK-së në Prizren kishte paraqitur kallëzim penal ndaj pesë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, me pretendimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare me rastin e lejimit të këmbimit të një prone komunale me një pronë private në mënyrë të kundërligjshme.
Por lidhur me këtë çështje kishte reaguar drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, që ka paralajmëruar Degën e AAK-së dhe autorët e këtij kallëzimi penal se do të përballen me padinë për shpifje dhe dëmtim të imazhit për shkak të akuzave të pabazuara dhe me motive politike.