Prizreni pritet t’i jep zgjidhje çështjes së lypsarëve nëpër qytet, të cilët pothuajse e kanë shndërruar qendrën e qytetit “shatërvan” në kamp të tyre. Fillimisht një organizatë gjermane do të nisë trajtimin e kësaj kategorie, ndërsa policia do t’i mbledh në mëngjes të gjithë ata që shihen duke lyp, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.
Drejtori për Mirëqenie sociale në Prizren, Fejzë Kabashi, ka thënë se pas shqetësimeve të ngritura, Komuna ka nisur bashkëpunim me organizatën gjermane “Terre Des Home”, të dëshmuar për trajtimin e lypsarëve dhe nëse ka nevojë edhe të familjeve të tyre.
“Organizata ka një buxhet të saj prej 500 mijë euro, ndërsa stafin do ta caktojë komuna. Projekti do të nisë së shpejti, pas procedurave tenderuese për objektet që aplikojnë për qiradhënie, për ta vendosur organizatën, të cilën e ka marrë përsipër komuna”, tha ai.
Sistemimi i lëmoshkërkuesve, shumica fëmijë, por edhe gra e të rritur pritet të bëhet vullnetarisht, e në rast se kjo nuk ndodh, atëherë lypsarët të cilët hasen nëpër rrugë do të kapen nga policia në mëngjes, e pastaj dërgohen në qendër, ku do të ketë ushqim dhe edukim dhe trajtimi psikologjik për ta. Sipas zyrtarëve, më vonë Komuna synon ndërtimin e një qendre të tillë.
Referuar shifrave të policisë rajonale në Prizren, dyshohet se janë rreth 50-52 lypsarë, pjesa më e madhe nga Shqipëria, që operojnë kryesisht në qendër, duke krijuar një imazh tepër të keq për qytetin, aq më tepër tek të huajt që nuk janë të rrallë në Prizren.
Por, shumica e lypsarëve nuk janë tregues i solidaritetit shqiptar, por tregues i fuqisë së tutorëve, që detyrojnë këtë kategori të lyp. Këtu shfrytëzohet edhe indiferenca e shtetit ndaj këtij fenomeni, shfrytëzimit të qenieve njerëzore, etj.
Edhe policia dyshon se dikush qëndron prapa kësaj dukurie, duke sjellë lypsarët në grup në Prizren. Pas fillimit të projektit ai nuk do të ketë levërdi, pasi ata do të mbyllen dhe nuk do t’i sjellin ndonjë fitim askujt
Reagimet e deritashme të policisë në Prizren, për të larguar lypsarët nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ato ta japin idenë se bëhen sa “për sy e faqe”, kur dihet se pas dy-tri dite rikthehet e njëta gjendje, ndërsa policia nuk ka reagim të sërishëm.
Nëse dikush ka nevojë për asistencë sociale, kjo duhet dhënë nga shteti, pasi të jetë verifikuar gjendja. Assesi nuk duhet lejuar që
lypsaret në qendër të shndërrohen në një panoramë të shëmtuar “Welcome To Prizren”!