24-11-2024

Si u vra Esat pashë Toptani, Avni Rustemi e lëshoi pistoletën, por…

Në kohën që italianët po përgatisnin terrenin për kthimin e Esatit, plani për vrasjen e pashait po përparonte.

Më 21 maj, pas një qëndrimi prej dy javësh në Tiranë, studenti nga Libohova, Avni Rustemi, ishte kthyer në Itali. Avniu kishte lindur në vitin 1895. Ishte shtatvogël dhe thatim, hundën e kishte të mprehtë, mollëzat pak të dala, si të skalitura, sytë të futur dhe buzët përherë të mbledhura. Edhe pse i ri, jeta e tij kishte qenë e ngjeshur me ngjarje.

Në moshën 12 vjeç, e kishin dërguar në Janinë për studime dhe, pas 3-4 vjetësh, në Stamboll. Më 1912 kishte bërë një vit në një kolegj pedagogjik të Gjenevës, ku kishte mësuar frëngjishten. Dy vjet më vonë, në kohën e Vidit, kishte luftuar kundër epirotëve në jug. Më 1915, ishte kthyer në Janinë për të studiuar në një shkollë izraelite dhe për të mos harruar frëngjishten. Më 1917 ishte emëruar mësues në Tepelenë. Në fillim të 1919-s kishte hyrë nxënës në kolegjin italo-shqiptar San Demetrio të Kalabrisë dhe, që nga fillimi i vitit 1920 studionte në Romë me bursë të qeverisë së Durrësit. Vështirë të dihet se me ç’njerëz u takua dhe çfarë bëri Avniu gjatë qëndrimit në Shqipëri mes datave 5 dhe 21 maj 1920, por kur kaloi kufirin me tren nga Italia për në Francë, ai kishte në xhep 6,800 lira dhe 300 franga, që llogariten gjithsej në rreth 4,255 dollarë me vlerën e sotme. Avniu arriti në Paris më 31 maj dhe u vendos në Hotel des Tuileries, që ia kishin rekomanduar disa studentë italianë në Romë. Meqenëse hoteli ishte i shtrenjtë, pas disa ditësh mori me qira një dhomë në rrugën “Faubourg Monmartre”. Avniu thoshte se kishte shkuar në Paris për të ndjekur ndonjë kurs mësuesie dhe kishte vendosur që, ditët e para të shëtiste nëpër kryeqytet. Më 2 qershor shkoi në selinë e delegacionit shqiptar në Hotel Campbell, pranë Harkut të Triumfit, ku u takua me shumë prej anëtarëve. Mit’hat Frashëri i rekomandoi të vizitonte një ekspozitë shqiptare, që hapej të nesërmen.

Në ekspozitë Avniu takoi një 47- vjeçar me emrin Gjergj Goga, i cili i tha se ishte sekretar i Esatit dhe banonte në hotel Continental, rruga “Castiglione”. Goga kishte disa javë që kishte ardhur nga Korfuzi me kërkesë të pashait. Dhoma e tij ishte njëkohësisht zyrë, ku ai mblidhte koleksione pullash për Esatin dhe priste artikuj gazetash, që i interesonin pashait.

Goga thoshte se dilte nga hoteli vetëm me lejen e eprorit. Disa ditë më vonë, Avniu shkoi ta takojë në hotel dhe të dy biseduan rreth 30 minuta në dhomën-zyrë të Gogës. Avniu iu lut t’i rekomandonte dikë që të mund ta ndihmonte për të kryer studime në Paris dhe Goga i dha adresën e tregtarit Zef Ashiku, që jetonte në Paris. Megjithëse në bisedë nuk u fol për Esatin, Avniu duhet të kishte krijuar tani një ide pak a shumë të qartë për jetën e banorëve shqiptarë të Continentalit. Në kryeqytetin francez, Esati priste me durim fatin e tij politik, sipas motos turke, të cilën e kishte të gdhendur edhe te vula që përdorte: “I mençuri e pret çastin e tij, i çmenduri i del përpara, budallai e lë t’i kalojë”. Pashai kishte shpresa. E gjithë Shqipëria e Mesme ishte nën ndikimin e tij, tregon Mustafa Kruja, ish-ministër në qeverinë e Durrësit. “Qeveria e Tiranës me Sulejman Delvinën kryeministër e Ahmet Zogun ministër të Brendshëm, – kujton ai, – kishte mbetur e pafuqishme kundrejt çetave esatiste që bridhnin lirisht deri te muret e kryeqytetit”.

Esati i kishte treguar Pashiçit dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit jugosllav se kandidatura e tij për fronin shqiptar po bëhej gjithnjë e më e mundur, sepse tani kishte arritur të merrte edhe mbështetjen e Italisë. U kishte thënë se do të kthehej me kënaqësi në Shqipëri, madje do ta bënte këtë menjëherë, po të mos i trembej ndonjë atentati nga ana e shqiptarëve.

Para disa muajsh i kishte deklaruar një gazete në Zvicër se dëshironte të vdiste siç vdesin ushtarët, duke luftuar në krye të ushtrisë së tij. “Megjithatë, – kishte thënë, – ka patur disa komplote kundër jetës sime dhe ndoshta ndonjë vrasës do t’ia arrijë qëllimit”. Një ditë, aty në apartamentin 176, i kishte treguar Elizës disa gazeta, ku flitej se njerëzit e tij kishin përmbysur qeverinë e Tiranës. Duhet të ishin lajme të zmadhuara, por i kishte thënë se shpresonte që në të ardhmen të merrte pushtetin, ndonëse në Shqipëri ai kishte shumë armiq. Gjithsesi, në Paris Esati nuk kishte frikë, madje shpesh dilte i vetëm nga hoteli dhe nuk e vriste mendjen për sigurinë personale. Pashai po bëhej gati të ikte nga Continentali për t’u vendosur në një shtëpi të mobiluar në rrugën Villa Said, një adresë prestigjioze, ku do të ishte fqinj me shkrimtarin e madh Anatole France. Shtëpia sapo ishte zbrazur nga miku i Esatit, Milenko Vesniç, që ishte kthyer në Beograd për t’u bërë kryeministër i Mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Kontrata e qirasë ishte lidhur më 10 qershor dhe në Villa Said ishte dërguar një pjesë e sendeve të Esatit: një sënduk prej hekuri që shërbente si kasafortë, një baule prej druri dhe disa valixhe. Shtëpia ishte një tripleks me katër dhoma pranë Pyllit të Bulonjës. Arsyeja e lëvizjes ishte se në Paris do të vinte së shpejti Shadija, e cila ishte nisur me anije nga Stambolli të shtunën, më 12 qershor. Eliza do të largohej për në Vishi dhe pashai i kishte premtuar se do ta takonte përsëri më vonë. Mbrëmjen e së shtunës, në Continental erdhi nga Nisa nipi i Esatit, Xhemil bej Vlora, për të cilin pashai kishte dashuri të veçantë. Nuk ishin parë prej një viti e gjysmë.

Të dielën, më 13 qershor në mëngjes, Esati bashkë me Xhemilin dhe Elizën bënë një vizitë në shtëpinë e re. Pastaj pashai u kujdes që gazetës së Parisit, Le Temps, t’i dërgohej një promemorie e tij, me të cilën donte që Kruja, të bënte publike kërkesën për dëmshpërblime, meqenëse dukej e pamundur që kjo punë të zgjidhej me rrugë diplomatike. Në tekst Esati shpjegonte gjerë e gjatë peripecitë e tij, nga koha e Vidit e deri në mbarim të luftës europiane dhe përmendte kontributin që kishte dhënë për aleatët. Në fund hynte në thelbin e kërkesës: “Gjatë më shumë se katër vjetëve, nuk kam marrë asgjë nga të ardhurat e konsiderueshme që më sillnin pronat e shumta. Vazhdoj të paguaj shpenzimet civile dhe ushtarake të qeverisë sime që ndodhet në Selanik dhe kam marrë përsipër pensionet e ushtarëve të gjymtuar e të familjeve të atyre që ranë në fushën e betejës në Shqipëri e në Selanik. Me ndërgjegje të plotë vlerësoj se këto shpenzime kapin 10 milionë franga. Me pak fjalë, nga bashkëpunimi im unë nuk marr veçse humbje materiale dhe përbuzje morale”.

Promemorja mbyllej me fjalët: “Kjo pasojë e dyfishtë është rezultat i refuzimit tim ndaj pretendimeve të Italisë. Mendimi se kam bërë detyrën time deri në fund dhe me besnikëri të plotë, mund të ishte për mua një ngushëllim i çmuar, nëse jeta nuk do të kishte kërkesat e saj dhe nëse nuk do të më duhej të siguroja shpërblimin material të atyre bashkatdhetarëve, të cilët, duke besuar tek unë dhe te shpirti i barazisë së Francës, gjatë tre vjetëve braktisën familjet dhe mirëqenien e tyre për të bashkëpunuar me mua. Gjaku shqiptar vaditi fushat e betejës dhe, për hir të drejtësisë, nuk duhet harruar!”.

Atë ditë, ai do të hante drekë me Xhemilin dhe Elizën në restorantin L’Escargot d’Or. Në orën një pa një çerek zbritën të tre për të shkuar tek automobili, që ishte parkuar në të djathtë të hyrjes së Continentalit. Esati kishte veshur një xhaketë gri, mbi të cilën mbante rozetën e Oficerit të Legjionit të Nderit dhe Kryqin francez të Luftës. Para se të dilnin, iu tha të dyve ta prisnin në automobil, sepse do të vonohej pak. Kur Xhemili, Eliza dhe shoferi ishin duke pritur, u dëgjuan dy krisma të forta. Nga pasqyra Xhemili pa një njeri me revolver në dorë përpara portës së hotelit. Të dy dolën nga automobili dhe u larguan me vrap, pa e kuptuar se ç’po ndodhte.

Pak minuta më vonë u mësua se ishte vrarë Esat Pasha dhe njeriu që kishte shkrehur armën kishte qenë Avni Rustemi. Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes në pritje të pashait. Me të dalë Esati nga porta kryesore, Avniu i kishte ardhur nga prapa dhe e kishte qëlluar nga një farë distance me një revolver Smith & Wesson, që mbante me vete. Plumbi, sa trashësia e gishtit, kishte depërtuar nën qafë, pranë shtyllës kurrizore dhe, kur trupi ishte duke u rrotulluar e po rrëzohej dhe viktima kishte ngritur krahët për t’u mbrojtur, Avniu e kishte qëlluar përsëri, kësaj here përballë, në anën e majtë të kraharorit, pothuajse në lartësinë e sqetullës. Esati kishte bërë disa hapa, kishte rënë në gjunjë dhe ishte rrëzuar buzë trotuarit. Ndërkohë që vrasësi e kishte lëshuar revolverin në tokë dhe po përpiqej të ikte, dy portierë e kishin mbërthyer për gryke dhe shoferët e taksive, që ishin ndodhur aty pranë, i kishin gjuajtur me grushte në fytyrë. Ishte dashur ardhja e një polici që ata ta lëshonin. Avniu nuk kishte bërë asnjë rezistencë, por fytyra i ishte ënjtur dhe gjakosur nga goditjet/ Pjesë nga libri “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, Ilir Ikonomi.

Asnjë koment

Comments are closed.