27-01-2021

Sipas MASH-it, mësimi nis më 18 janar, SBASHK-u thotë se nuk është e sigurt

Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë më 18 janar është vënë në pikëpyetje. Derisa në Ministrinë e Arsimit janë zotuar se po bëhen përgatitjet që mësimi të nisë pas 10 ditësh, në Sindikatën e Arsimit thonë se kjo nuk është e sigurt.

Kjo pasi SBASHK-u po pret që deri javën tjetër të gjendet zgjidhje për dy kërkesat e tyre: nënshkrimin e kontratës kolektive dhe nga 100 euro shtesë për punëtorët e arsimit.

MASH-i nuk ka komentuar paralajmërimet e SBASHK-ut duke thënë shkurt se janë në kontakt me ta.

“Sipas vendimit të ministrit për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2020/2021 në arsimin parauniversitar, periudha e dytë e vitit shkollor fillon më datë 18.1.2021. Periudha e pushimit është duke u shfrytëzuar për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave përmes shpërndarjes së materialeve mbrojtëse dhe higjienike. MASH-i ka filluar procedurat për përkrahje të shkollave në ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit me prezencë”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

E, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se java e ardhshme do të jetë vendimtare, ku do të dihet saktë nëse mësimi do të nisë sipas kalendarit shkollor apo do të futen në grevë. Vendimin do ta marrë Këshilli drejtues i saj.

“Nëse këto nuk ndodhin gjatë javës së ardhshme, kam frikën se me takimin dhe komunikimin që do ta bëjmë rishtazi me Këshillin drejtues dhe kryetarët e niveleve komunale e të universiteteve do të ketë kërkesa që të ketë veprime sindikale dhe unë e stafi jemi të obliguar t’i respektojmë vendimet e Këshillit drejtues. 18 janari, a do të fillojë mësimi a jo, varet nga vullneti i Qeverisë Hoti dhe i ministrit Likaj”, ka thënë Jasharaj.

Këshilli i Prindërve i Prishtinës, përmes një reagimi, ka shprehur shqetësimin në lidhje me paralajmërimet e SBASHK-ut, duke thënë se fëmijëve nuk mund t’u mohohet e drejta për arsimim e edukim.

“Kërkojmë nga SBASHK-u që të reflektojë dhe të përmbahet nga këto deklarime në kohë pandemie, por edhe në kohë elektorale politike, që nëse kanë vullnet dhe ua duan të mirën edhe mësimdhënësve e edhe fëmijëve, t’i bashkërendojnë veprimet e tyre me të gjitha palët e interesit dhe jo njëanshëm të caktojnë afate, të hapin e mbyllin vetë vitin shkollor, që tingëllon dukshëm shantazhues, jolegjitim e as institucional”, thuhet në reagim.

MASH-i ka bërë të ditur se ketë vit nuk do të ketë pushim pranveror në shkolla, derisa edhe ditët e humbura në gjysmëvjetorin e parë do të kompensohen të shtunave./koha net

Asnjë koment

Comments are closed.