23-11-2024

Sipas Telegrafit të Beogradit, Trumpi ka dhënë një vit afat për zgjidhjen e nyjës së Kosovës

Sipas Telegrafit serb të Beogradit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka caktuar 25 gushtin e vitit të ardhshëm si afat të fundit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, i cili përfshin edhe përgjigjen për caktimin e kufirit, transmeton Koha.net.

“Afati i fundit për t’i vënë pikën nyjës kosovare është 25 gushti i vitit të ardhshëm, dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë (në nëntor), kur Donald Trump do të luftojë edhe për një mandat në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan kjo gazetë në numrin e saj të sotshëm.

Telegrafi serb vlerëson se, duke pasur parasysh se për Trumpin do të ketë rëndësi çdo fitore me peshë në planin e politikës së jashtme, “është e qartë se zgjidhja e çështjes së Kosovës”, siç shprehet kjo gazetë, “që sipas vizionit të presidentit amerikan do të thotë ndarja e Kosovës, do të ishte një skenar ideal”.

“Në lidhje me çështjen e Kosovës, Trump më së shumti ka besim në këshilltarin për Siguri Nacionale, John Bolton, i cili më së shumti e forcon idenë për caktimin e kufirit dhe është ai që do të duhej ta çojë në fund në periudhën e ardhshme”, citon kjo gazetë njërin nga, siç thekson “bashkëbiseduesit e mirë informuar”.

Koha.net rikujton se kjo gazetë serbe njihet për orientimet nacionaliste e shoviniste, shpesh duke mos u përmbajtur as nga spekulimet.

Asnjë koment

Comments are closed.