S’lejohet publikimi i dëshmive në gjykimin ndaj “Burdushit”, akuzohet se përmes mashtrimit përfitoi rreth 1 milion euro
Me dëgjimin e dëshmitarëve I.N dhe Rr.E, të premten, ka vazhduar gjykimi ndaj Hysri Peqani i njohur si “Burdushi” i cili po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash e armëmbajtje pa leje.
Në këtë rast, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala ka ndaluar publikimin e deklaratave të të dëmtuarve deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor si dhe ka marrë vendim që emrat e të dëmtuarve të publikohen vetëm me iniciale, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Ndryshe, për t’u dëgjuar në këtë seancë ishin ftuar edhe tre dëshmitarë të tjerë, mirëpo të njëjtit nuk janë paraqitur në gjykatore gjatë së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për B.K, kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala bëri të ditur se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që të sigurojnë prezencën e tij dhe kanë marrë konstatimin nga anëtarët e familjes se i njëjti është jashtë shtetit dhe nuk mund të jetë në këtë seancë.
Ndërsa, për dëshmitarin tjetër, B.K, u tha se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por se mungesën e tij nuk e ka arsyetuar. Kurse, për M.Q, gjithashtu u tha se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt e se në fletëkthesë është konstatuar “pala e panjohur”.
Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet me 19 tetor, me fillim nga ora 9:30.
Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.
Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.
Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie e tipit “Super Campion”.
Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpëlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi