24-11-2024

Sociologu Koçinaj: Vetëvrasja e të rinjve, kobi më i madh për një shoqëri

Rastet e fundit të vetëvrasjeve përbëjnë shqetësim pas të cilit kërkohet mobilizim për parandalim. Por, a  lidhen rastet e tilla me ndryshimet në shoqërinë kosovare, që sipas sociologëve ka pësuar tërmete të shumta, për shkak të shkatërrimit të ekonomisë familjare, vështirësive në sistemim e shumë sfidave të tjera.

Sociologu Nuhi Koçinaj,  njëherësh drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prizren, tha për portalin “Gazeta e Prizrenit.net” se krijimi i familjeve bashkëkohore është bërë para pjekjes së situatës ekonomiko-sociale, andaj edhe pasojat janë alarmante në devijimet patologjike shoqërore.

Ai i përmend si shkak luftën e fundit në Kosovë që shkatërroi në tërësi ekonomitë familjare, derisa familjet patriakale kolektive u detyruan t’ia mësyjnë qyteteve dhe të shkapërderdhura u gjetën ashtu sic munden, duke u krijuar familje bashkëkohore, ndërkohë që s’ishin krijuar kushtet ekonomiko-sociale.

“Kobi ma i madh për një shoqëri është vetëvrasja e të rinjve. Jeta urbane krijoi edhe metodën e re nga ajo pasive, (kur vetëvrasjet bëheshin me medikamente) të para vitit 1999 në metodën aktive të vetëvrasjes, ku gjatë hedhjes prej së larti shansat për mbijetesë janë zero”, ka thënë ai për “Gazeta e Prizrenit.net”.

Koçinaj,  thotë se prindërit, shkollat, komuniteti dhe mjetet informimit duhet jenë  fronte parandaluese. “Planin e gjerë shoqëror duhet ta bëjnë institucionet, pastaj Akademia e Shkencave me ndihmën e shtetit urgjentisht duhet ta shtrijnë aktivitetin në planin e gjerë shoqëror për të ndikuar në mënyrën e të menduarit ndryshe, për zgjedhjen e problemeve”, tha ai./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.