Sokol Bashota kthehet nga Haga: Gjykata Speciale më ofroi marrëveshje që do dëmtonte kauzen e UÇK-së
Kryetari i Degës së PDK’së në Klinë, Sokol Bashota, pasi është marrë në pyetje nga Gjykata e Hagës, tashmë është kthyer në Kosovë. Ai theksoi se është intervistuar si i dyshuar.
Ai u prit nga shumë qytetarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Bashota zbuloi se nga Specialja u intervistua në cilësinë e të dyshuari dhe se Gjykata e Hagës i ofroi një marrëveshje.
“Për dy ditë jam intervistuar si i dyshuar. Jam përgjigjur në pyetjet që kanë qenë të favorshme për mua, dhe i kam kundërshtuar tjerat. Ajo që më ka shqetësuar është dje mua më është ofruar një marrëveshje që do të ishte e favorshme për mua, por do të dëmtonte UÇK-në. Një marrëveshje që do të më ndihmonte gjatë procesit në të ardhmen, por e dëmshme për procesin në të cilin ka kaluar UÇK-ja”, ka thënë Bashota.
“Jam i intervistuar si i dyshuar”, zbuloi Bashota.
“Gjykata Speciale më ofroi marrëveshje”, shtoi Bashota.
“Nuk jam përgjigjur në ato pyetje që s’kanë të bëjnë me mua. Nuk ka asnjë aktakuzë ndaj meje”, deklaroi Bashota.
Avokati i tij tha se për detaje të tjera nuk do të flasim.
“Jemi ballafaquar me prokurorinë, me argumente. Nuk ka bazë ligjore për atë marrëveshje, e cila nga ne është parë potencialisht e dyshimtë nga ne. Ka pasur risi, ka pasur propozime të ndryshme, por ne i kemi kundërshtuar fuqishëm këto. Në ftesë nuk i është caktuar statusi, por atje kemi kërkuar sqarime shtesë, nëse është i dyshuar apo dëshmitar, është konfirmuar se është i dyshuar”, tha ai.