17-05-2024

Sot Kosova-Çekia, “dardanët” synojnë fitore

Tashmë gjithçka është gati për ndeshjen tejet të rëndësishme Kosovë -Çeki në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Kombëtarja e Kosovës dje zhvilloi seancën e fundit stërvitore, ku futbollistët janë parë me humor të mirë dhe shumë entuziastë para përballjes së sotme me çekët, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 15:00.

Stërvitja e fundit ka qenë kryesisht relaksuese, pa intensitet të lartë për futbollistët, por që përzgjedhësi Bernard Challandes u ka dhënë instruksionet e fundit futbollistëve për ta përballuar me sukses sfidën e sotme. Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në ndeshje, teksa i mbetet përzgjedhësit Challandes që të vendosë për 11-shen startuese.

Afër ekipit i ka qëndruar edhe futbollisti Milot Rashica, i cili për shkak të lëndimit nuk do të jetë në gjendje që t’i ndihmojë bashkëlojtarët, por ka vendosur të vijë dhe t’u japë kurajë për fitore në ndeshjen ndaj çekëve.

Para stërvitjes së fundit, në konferencë për media janë paraqitur përzgjedhësi Bernard Challandes dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda, të cilët kanë shprehu pikëpamjet e tyre për duelin kundër çekëve.

Challandes ka thënë se skuadra e tij duhet të luajë me shumë pasion dhe si e çmendur për ta arritur rezultat pozitiv, teksa e ka vlerësuar Çekinë si favorite.

“Kam folur shumë për mentalitetin. Mendoj se është shumë e rëndësishme në këtë moment, jo vetëm taktikat dhe agresiviteti. Ne duhet të luajmë si të çmendur dhe të shfaqim pasion. Kemi 13 mijë tifozë dhe duhet të japim diçka të veçantë që ta kemi mbështetjen e tyre maksimale. Aspekti psikologjik është më i rëndësishmi në këtë ndeshje”, ka theksuar Challandes, i cili nuk ka zbuluar asgjë sa i përket futbollistëve që do të startojnë në këtë ndeshje.

Ndërkaq, mbrojtësi anësor Mërgim Vojvoda, ka thënë se Dardanët janë të gatshëm dhe përkundër mungesave të mëdha do të paraqiten me dëshirë të madhe për fitore.

“E dimë që kemi mungesa, por ekipi është përgatitur. Në çdo sfidë ne duhet të futemi për t’i fituar tre pikë, pastaj mbetet të shohim se çfarë ndodhë. Është e rëndësishme të shënojmë gol. Kemi treguar se luajmë shumë dhe e japim maksimumin. E dimë që Çekia është ekip shumë i fortë, por jemi përgatitur dhe i kemi studiuar pikat e tyre të dobëta”, ka theksuar Vojvoda.

Çekia vlerësohet si konkurrenti kryesor i Kosovës për pozitën e dytë në renditje dhe aktualisht ka një pikë më shumë se Dardanët, derisa fitorja në këtë ndeshje do t’i jepte një shtysë të madhe Kosovës drejt kualifikimit në Euro 2020. /rtklive

 

Asnjë koment

Comments are closed.