Sot mbahet pjesa e dytë e afatit të parë të Testit të Maturës, në rajonin e Prizrenit
Sot, duke filluar nga ora 10:00, mbahet pjesa e dytë e afatit të parë të Testit të Maturës 2018 për rajonin e Prizrenit, përfshirë shkollat e mesme të Prizrenit, Suharekës, Sharrit (ish-Dragashit) dhe Mamushës, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
Testit do t’i nënshtrohen rreth 2.770 maturantë të komunës së Prizrenit, të të gjitha profileve. Zyrtarët komunal arsimor kanë thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat që ecuria e testit të jetë në nivel dhe rezultatet të jenë sa më të sakta.
Tashmë ka filluar shpërndarja e materialit për në 19 qendrat testuese, të cilat janë njoftuar për rregullat e testit.
Matura shtetërore është njëra nga veprimtaritë kryesore të vendit dhe si e tillë duhet menaxhuar mirë. Njëherësh mund të thuhet se deri në nivelin e mesëm të shkollimit ky është provimi më i vështirë për nxënësit, pasi përmbledh njohuritë e klasave të mëparshme. Rezultatet e arritura janë shumë të rëndësishme për regjistrim në fakultet.
Autoritetet kanë paralajmëruar ndëshkim ndaj atyre që janë të angazhuar në mbarëvajtjen e testit, në rast se keqpërdorin rregullat e parapara. Kjo sipas tyre bëhet që testi të dalë sa më objektiv dhe i saktë, dhe që nxënësit meritorë të cilën gjatë të gjitha viteve ishin me nota të larta të dalin me pikët maksimale dhe jo të ndodhë e kundërta.
Sivjet ka ndryshuar forma e mbajtjes së testit dhe nuk do të mbahet në të njëjtën ditë.
Në Dragash në test të maturës janë 199 maturantë. Në Suharekë, në të tri shkollat e mesme testit do t’i nënshtrohen 1.035 nxënës./gazetaeprizrenit.net/