Organi më i lartë komunal, Kuvendi i Komunës së Prizrenit, sot do të diskutojë për gjendjen e krijuar në arsimin e kësaj komune.
Mbledhja do të mbahet me kërkesën e opozitës, përkatwsisht tw Nismws Socialdemokrate qw ka dorëzuar kërkesën e 23 kuvendarëve për mbajtjen e seancës, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Kjo vjen pas vendimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka për të shkarkuar disa nga drejtorët e zëvendës drejtorët e shkollave në mënyrë selektive, pa konkurs, duke zëvendësuar ata me mësimdhënës pa kriter, e të cilët opozita i ka vlerësuar si “të dëgjueshëm”.
Mbledhja do të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit, duke filluar në orën 10:00.
Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme do të diskutohet vetëm gjendja e arsimit dhe nuk do të ketë tema të tjera në rend të ditës.
Njohësit e rrethanave politike në Prizren e kanë cilësuar këtë moment si shumë të favorshëm për opozitën, apo shprehur me gjuhën e futbollit si një “penallti” për të.
Që nga qeverisja e Haskukës, prej 2 vjet e gjysmë, KK në Prizren i është dashur të mbajë disa mbledhje të tilla, shumicën me kërkesë të opozitës, ndërsa një sosh, po ashtu kushtuar gjendjes së rënduar në arsim. / GazetaePrizrenit.net /