18-06-2026

Editorial: Paradoksi i Prizrenit – PDK qeveris komunën, por mbetet pa asnjë deputet nga qyteti

Përfundimi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ka nxjerrë në pah një nga paradokset më interesante politike në Kosovë.

Prizreni, komuna e dytë më e madhe në vend dhe një nga bastionet tradicionale të PDK-së, nuk ka arritur të sigurojë asnjë deputet nga radhët e kësaj partie, pavarësisht se PDK-ja vazhdon të qeverisë komunën dhe nga 2007-ta ka mbajtur pushtetin lokal për pesë mandate, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Dikur i cilësuar nga vetë drejtues politikë si “Jerusalemi i PDK-së“, Prizreni ka qenë për vite të tëra qendra më e rëndësishme elektorale e kësaj partie. Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare dëshmon se ndikimi lokal nuk po reflektohet më automatikisht në përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës.

Nga Prizreni, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë tre deputetë: Hajrulla Çekun, Arbër Rexhajn dhe Artan Abrashin. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet nga Anton Quni. Në anën tjetër, as PDK-ja dhe as AAK-ja nuk kanë arritur të nxjerrin deputet nga qyteti, duke shënuar një rezultat që pak kush do ta kishte parashikuar vetëm pak vite më parë.

Veçanërisht domethënës është fakti se as Nait Hasani, një nga figurat më të njohura të PDK-së në Prizren dhe deputet për disa mandate radhazi, nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për një ulëse në Kuvend. Ai u kritikua për aferën e manipulimit me vota, në zgjedhjet paraprake, 5 muaj më parë. Mungesa e tij në përbërjen e re parlamentare simbolizon jo vetëm rënien e ndikimit të figurave tradicionale të partisë, por edhe transformimin e hartës politike brenda elektoratit prizrenas.

Ky rezultat dëshmon një fenomen që është vërejtur edhe në zgjedhjet e fundit: ndarjen gjithnjë e më të qartë mes votës lokale dhe asaj parlamentare.

Rezultati i 7 qershorit e vendos Prizrenin në një pozitë të pazakontë politike. Qyteti që për dekada është konsideruar zemra elektorale e PDK-së, në këtë legjislaturë do të përfaqësohet ekskluzivisht nga deputetë të LVV-së dhe LDK-së. Për PDK-në, ky është një sinjal i qartë se kontrolli i pushtetit lokal nuk mjafton më për të garantuar ndikim në nivel qendror, ndërsa për partitë rivale, rezultati përbën dëshmi se peizazhi politik në Prizren po ndryshon me ritëm më të shpejtë sesa pritej.

Mbetet të shihet nëse ky zhvillim përfaqëson vetëm një moment elektoral apo fillimin e një transformimi më të thellë të ekuilibrave politikë në njërën prej komunave më të rëndësishme të Kosovës.

Një aspekt tjetër që meriton vëmendje është fakti se Prizreni, përveçse komuna e dytë më e madhe në vend, mban edhe statusin e Kryeqytetit Historik të Kosovës. Megjithatë, përfaqësimin më të madh parlamentar nga kjo komunë, kësaj radhe nuk e kanë partitë shqiptare, por komunitetet joshumicë. Nga deputetët prizrenas, gjashtë u takojnë partive të komuniteteve, prej të cilëve dy janë përfaqësues të komunitetit turk, tre të komunitetit boshnjak dhe një i komunitetit rom. /Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.