29-04-2024

Sot në Prizren, debati publik për projektin ‘Sheshi i Bazhdarhanës’

Komuna e Prizrenit, sot do të mbajë debat publik gjatë të cilit do të prezantohet dhe do të diskutohet projekti “Sheshi i Bazhdarhanës”.

Projekti aktualisht është në fazën e hartimit dhe për këtë arsye Komuna e Prizrenit ka ftuar të gjithë të interesuarit për sugjerime apo vërejtje eventuale, të cilat do të kontribuonin në realizimin e këtij projekti.

“Me ketë ndërhyrje infrastrukturore synohet të krijohet një shesh i ri për qytetarët dhe vizitorët, 300 deri në 400 vend-parkingje të reja, tregu i ri dhe të rregullohet mobiliteti urban”, thuhet në njoftimin e komunës.

Pos investimeve direkte si efekte anësore të këtij projekti, sipas njoftimit, Komuna e Prizrenit do të tentojë të ringjallë bizneset që gjenden në rrugën prej Shatërvanit deri në Bazhdarhane, biznese të cilat aktualisht thuhet se punësojnë rreth 10.000 qytetarë, dhe përmes këtij projekti planifikohet të ruhet trashëgimia kulturore në qendrën historike të qytetit.

Në debat janë të ftuar banorët e lagjes, subjektet afariste dhe qytetarë të tjerë të interesuar.

Debati mbahet nga ora 10:00, në objektin e Shtëpisë së Bardhë, në sallën ku mbahen mbledhjet e Asamblesë Komunale të Prizrenit./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.