16-04-2024

Prokuroria nis mbledhjen e dokumenteve pas ftesës së Haskukës

Rreth 35 mijë objekte pa leje llogaritet se janë në qytetin e dytë më të madh në Kosovë.

Kjo shifër, sipas zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, është shqetësuese dhe për këtë gjendje ata kanë akuzuar qeverisjet e kaluara.

Ditë më parë, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i bëri thirrje Prokurorisë Themelore në Prizren që t’i hetojë më me seriozitet rastet që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

E këto thirrje kanë bërë që Prokuroria Themelore në Prizren të veprojë.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, kryeprokurori Admir Shala ka konfirmuar se kanë nisur hetime për raste të ndryshme që janë dorëzuar nga Komuna.

Ai, më tutje, thotë se gjatë së enjtes ka lëshuar autorizim për Policinë, Njësinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, për mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve për këto projekte dhe se të gjitha këto raste do të trajtohen me prioritet.

“Sa u përket projekteve komunale në të cilat dyshohet apo pretendohet se mund të ketë pasur shkelje ligjore, kjo prokurori, më datë 04.07.2019, ka lëshuar autorizim për Policinë, Njësinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, për mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve dhe të dhënave për këto projekte dhe të gjitha këto raste do të trajtohen me prioritet. Prokuroria Themelore ne Prizren është e përkushtuar dhe e vendosur në hetimin e të gjitha dyshimeve që kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare apo korrupsion dhe kërkojmë nga zyrtarët e Komunës së Prizrenit dhe nga çdo qytetar, që t’i raportojnë rastet e dyshimta në Polici apo Prokurori, në mënyrë që bashkërisht t’i parandalojmë dhe luftojmë dukuritë negative dhe shkeljet ligjore”, ka thënë Shala.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, në emisionin Puls në KTV, javë më parë kishte drejtuar akuza ndaj qeverisjes së kaluar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

E këto thirrje për Prokurorinë, opozita i ka quajtur ndërhyrje në drejtësi nga kryetari i Komunës.

Sipas opozitës, kryetari i kësaj komune po mundohet që t’i mbulojë dështimet e veta duke bërë akuza kundër qeverisjeve së kaluara.

Madje, ata kanë thënë që shumë shpejt do bëjnë padi për shpifje ndaj Haskukës.

Zyrtarë të Komunës së Prizrenit, në fillim të mandatit qeverisës nga Lëvizja Vetëvendosje, kishin përgatitur një listë me projekte që, sipas tyre, kishte keqpërdorim të parasë publike, listë e cila ishte dorëzuar edhe në Prokurori.

Asnjë koment

Comments are closed.