Sot seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prizrenit, opozita paralajmëron mosvotimin e Kornizës trevjeçare të buxhetit
Sot mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit për të shqyrtuar dhe miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore trevjeçare, ndërsa opozita ka paralajmëruar se nuk do ta votojë atë, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Në këtë mbledhje është caktuar vetëm një pikë e rendit e ditës, e cila do të jetë për shqyrtim dhe miratim të Kornizës Afatmesme Buxhetore të Komunës së Prizrenit për periudhën 2020-2022.
Opozita ndërkaq, ka paralajmëruar mosbotimin e KAB-it. Ilir Baldedaj nga AAK-, thotë se ky është një buxhet skandaloz dhe jozhvillimor, sepse përveç kubëzave dhe asfaltit, në këtë buxhet dukuri e re është zhavori dhe mbjellja e drunjve dekorativ, që për tri vitet e ardhshme kanë planifikuar mbi 1.2 milion euro.
“Gjatë kohës sa ishin në opozitë, këta akuzonin për këto, ndërsa tash na sjellin jo një buxhet zhvillimi, por degradimi”, ka thënë për “Gazetën e Prizrenit” ai.
Ndryshe, kjo është mbledhja e pesë e jashtëzakonshme që KK mban në këtë përbërje, nga viti 2018. Tri sosh janë mbajtur me kërkesë të opozitës (PDK dhe AAK).
Mbledhja e sotme mbahet në sallën e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, duke filluar nga ora 10:00./GazetaePrizrenit.net/