26-04-2024

Spitali i Prizrenit nuk i përmbush të gjitha kërkesat e pacientëve për barna

Edhe pse kërkojnë trajtim mjekësor në institucionet publike shëndetësore në vend, pacientët kosovarë po vazhdojnë t’i blejnë nga xhepi i tyre barnat dhe materialin shpenzues mjekësor, të cilat do të duhej të bliheshin nga buxheti prej 234 milionë eurove, sa është ndarë për sektorin e shëndetësisë për vitin 2019, shkruan gazeta “Zëri”.

Në Spitalin e Prizrenit furnizimi me barna nga lista esenciale është nën 60 për qind, furnizim i cili nuk përmbush të gjitha kërkesat e pacientëve.

“Sipas tremujorit të dytë, furnizimi me barna dhe me material shpenzues është rreth 60%. Me barna është 56,12%, me material shpenzues 58,26%”, ka thënë për gazetën shefi i barnatores në Spitalin e Prizrenit, Muharrem Rama.

Ndërsa Naim Sahiti, zyrtar për informim në Spitalin e Pejës, ka thënë për “Zërin” se janë të furnizuar me mbi 70 për qind të produkteve të listës esenciale.

“Furnizimi me barna dhe me material shpenzues është i mirë, diku me mbi 70% të artikujve në listën esenciale jemi të furnizuar. Në rastet kur ka ndonjë mungesë me furnizime të domosdoshme ne intervenojmë me buxhetin e Spitalit”, ka thënë ai.

Përndryshe, as Spitali i Gjilanit dhe ai i Gjakovës gjatë këtij viti nuk kanë përmbushur të gjitha kërkesat e pacientëve për furnizim me barna nga lista esenciale dhe me material shpenzues./ZERI

Asnjë koment

Comments are closed.