25-04-2024

Standardi i dyfishtë nga kryetari Haskuka

Suspendimi nga detyra i shefit të zyrës ligjore në Komunën e Prizrenit, Arben Krasniqi, përbën një hap të mirë nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, si një mesazh ndaj të akuzuarve nga drejtësia.

Në anën tjetër, një veprim i tillë dëshmon për aplikim të standardit të dyfishtë  të Haskukës ndaj shërbyesve civil, pasi në këtë rast tashmë dihet se edhe përfaqësuesi ligjor i Komunës, Shqipron Krasniqi bashkë me A. Krasniqin, në janar kanë mbajtur nga një muaj paraburgim, nën dyshimet për keqpërdorim  të detyrës së tyre zyrtare.

Pra, Haskuka është treguar joparimor, duke ndërmarrë veprime të njëanshme. Shtrohet pyetja, a është kjo drejtësi, apo veprim manovrimi për opinion, në kohën kur ndaj pushtetit lokal në Prizren janë adresuar e po vazhdojnë kritika të shumta, jo vetëm nga shoqëria civile, por edhe kallëzime penale nga opozita për shkak të tenderëve të kushtueshëm, shkruan Gazeta e Prizrenit.

A mund të vihet drejtësia e premtuar nga Haskuka, duke anashkaluar dhe aplikuar rregulla ligjore sipas qejfit apo mundësisë?

Nga praktika e deritashme e menaxhimit të komunës nga Haskuka i Vetëvendosjes, ky nuk është rasti i parë i standardeve të dyfishta.

Kjo ka ndodhur edhe vitin e kaluar, në rastin e dorëheqjes së drejtorit për Ekonomi dhe Financa të Prizrenit, Ertan Simitçi, që më tepër erdhi si vetëdorëzim karshi presionit të shoqërisë civile e madje edhe reagimit të ambasadës amerikane.

Por, ndonëse u deklarua, si dorëheqje më vonë doli se kjo ishte bërë nga presioni pasi në tetor ishin zgjedhjet, ndërsa Haskuka do të përballej me premtimet e tij dhe të Vetëvendosjes për ndryshime nga të qeverisja e mëparshme, pra pa drejtor të akuzuar.

Në fakt, largimi i një drejtori, që tek e fundit ishte vetëm i akuzuar përbënte asgjë, kur dihet se Haskuka në kabinetin e tij qeverisës ka edhe dy drejtorë të dënuar nga gjykata, njëri prej të cilëve për dy vepra penale.

Përkundër kërkesave të opozitës dhe shoqërisë civile për shkarkim, Haskuka mban drejtorin për urbanizëm, Fatmir Memajn, të dënuar për pengim të personave zyrtarë, apo policisë, e për më keq, drejtori tjetër, Ehat Oreshka që drejton Kulturën, është dënuar për veprat penale falsifikim të dokumentit dhe legalizim të përmbajtjes së rreme. Pra, ja se çfarë kulture na përfaqëson ai!

A është ky një tregues për mungesë guximi të Haskukës, duke vepruar vetëm ndaj të dobëtëve. A ishte ky premtimi i tij, për një diskurs tjetër të qeverisjes në Prizren?

Po ashtu është për të ardhur keq se si këto dënime të drejtorëve të tij, por edhe ato të drejtorëve të tjerë të akuzuar, nuk paraqesin problem për kryetarin e komunës, Haskuka, që aq shumë lavdërohej për qeverisje të pastër, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Nuk janë vetëm këta zyrtarë të akuzuar të Komunës. Për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohen edhe 3 drejtorë të tjerë, ai i shërbimeve publike, Levent Kasëmi, drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe ish-drejtori për Kadastër e Gjeodezi. Aktakuzë është ngritur edhe ndaj Islam Thaçit, drejtor për Inspektorate.

Prokuroria në Prizren tashmë ka ngritur aktakuzë edhe kundër pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për Haskukën, po del të mos jetë e rëndësishme nëse drejtorët e tij janë shkelës të ligjit, derisa ai në foltoren e Kuvendit të Komunës, vitin e kaluar gjatë një seance bënte edhe gjyqtarin, duke deklaruar me emocione se “disa e kanë vendin në burg”, ndërsa aludonte në këshilltarë të opozitës, që e kritikonin.

Patjetër, që veprime të tilla duhet të jenë një tjetër alarm edhe për shoqërinë civile dhe mediet. /GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.