19-05-2024

Studentë e profesorë të UPZ-së mbëltojnë fidanë në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 21 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, për të festuar dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve dhe pemëve jashtë pyjeve.

Sipërfaqja pyjore në Kosovë është mjaft e qëndrueshme me rreth 481 000 ha apo 44.7% e sipërfaqes totale. 38% e sipërfaqes pyjore është në pronësi private, ndërsa 62% janë pyje publike. Pyjet cungishte dominojnë sipërfaqet pyjore me 84%. Pyjet e pastra fletore mbulojnë pothuajse 83% të sipërfaqes pyjore.

Pyjet mbulojnë një të tretën e masës tokësore të globit dhe kanë një funksion thelbësor për të mirën e gjithë njerëzimit. Pyjet kanë një rol kyç në betejën e njerëzimit për t’iu përshtatur dhe luftuar ndryshimet klimatike. Ato balancojnë oksigjenin, dioksidin e karbonit dhe lagështinë e ajrit. Pyjet mbrojnë burimet e ujit që mundësojnë furnizimin me mbi 75% të ujit të pijshëm. E megjithatë, pavarësisht këtyre përfitimeve të çmuara ekologjike, ekonomike, sociale dhe shëndetësore, bota po vuan nga një shpyllëzim i niveleve alarmante. Plot 13 milionë hektarë pyje shkatërrohen çdo vit. Shpyllëzimi është fajtor për 12-20 për qind të emitimit të gazrave serë që kontribuojnë në ndryshimet klimatike.

Siç dihet, në kuadër të FSHJM-së, është edhe drejtimi i Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit, një drejtim shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në nivel vendi dhe më gjerë.

Misioni themelor i Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit është ofrimi i nivelit të edukimit universitar dhe pasuniversitar si dhe të merret me hulumtimet shkencore dhe punë konsultative që kanë të bëjnë me Shkencat e natyrës së gjallë, Mjedisit dhe Agrobiznesit. Në kuadër të orientimit të vetë drejt studimit të burimeve natyrore dhe menaxhimit të qëndrueshëm të tyre, fakulteti është njëri ndër institutet për të cilin ka nevojë çdo shtet me qëllim të formimit dhe mbajtjes së identitetit të tij. Mbrojtja e relievit dhe natyrës, mbrojtja e trashëgimisë natyrore, shfrytëzimi i qëndrueshëm dhe miqësor i burimeve natyrore, prodhimi dhe procedimi i ushqimit cilësor, së bashku me teknologjinë moderne paraqesin një sfidë globale e cila mund të adresohet pozitivisht duke zbatuar hulumtimet gjithnjë më të avancuara.

Asnjë koment

Comments are closed.