Studentët nga Universiteti “Ukshin Hoti” vizituan Prokurorinë Themelore në Prizren
Qëllim kryesor i kësaj vizite, ishte edukimi dhe marrja e njohurive praktike dhe të drejtpërdrejta nga kjo prokurori, ku me këtë rast, studentëve mirëseardhje i shprehu zëvendës kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Arijana Shajkovci.
Gjatë këtij takimi, zëvendës kryeprokurorja Arijana Shajkovci, fillimisht e vlerësoi vizitën e studentëve, dhe i njoftoi për funksionimin dhe efikasitetin e prokurorisë si dhe bëri një pasqyrim të punës së përditshme të prokurorëve.
Më tutje, Shajkovci, i njoftoi studentët për bashkëpunimin që ka prokuroria me policinë, gjykatën si dhe me institucionet tjera të drejtësisë. Po ashtu, studentët u njoftuan edhe me procedurat sa i përket trajtimit të lëndëve, që nga pranimi i kallëzimeve penale, faza e hetimeve, e deri tek ngritja e aktakuzave, pushimi i hetimeve apo hudhja e kallëzimeve penale, si dhe përfaqësimi i rasteve penale në gjykata.
Pas prezantimit fillestar, vijoi diskutimi i hapur me studentët. Zëvendës kryeprokurorja i’u përgjigj interesit të studentëve, të cilët u fokusuan mbi aspekte të ndryshme. Njëra nga pikat për të cilën u interesuan më shumë studentët ishte, informimi me procedurën e raportimit të rasteve në institucionet e ndjekjes, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien e këtij institucioni.