Suhareka mban debat publik për Planin Zhvillimor Komunal 2018-2026
Në bibliotekën e qytetit “Hajdin Berisha” në Suharekë, po mbahet debat publik lidhur me Planin Zhvillimor Komunal 2018-2026, ku në këtë debat po marrin pjesë qytetarë, përfaqësues biznesesh dhe zyrtarë komunal.
I pranishëm është edhe kryetari i komunës Bali Muharremaj dhe nënkryetarja Mihrije Suka.
Në njoftimin e zyrës për shtyp të komunës, thuhet se në fjalën e tij Muharremaj u shpreh se komuna është në proces të hartimit të Planit Zhvillimor Komunal.
“Ne kemi pasur një plan paraprak i cili ka qenë i punuar nga një ekip i gjerë planifikimi. Ai dokument ka qenë udhërrëfyes i zhvillimeve në proceset investuese në komunë. Meqenëse këtë vit i skadon afati, ne jemi të detyruar ta hartojmë një plan të ri duke e analizuar të kaluarën, studiuar gjendjen aktuale në teren dhe duke identifikuar nevojat, për t’i planifikuar zhvillimet e mëtejme të investimeve të komunës për 8 vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
Procesi ka filluar vitin e kaluar, por në këtë vit pritet të marrë kahjen e duhur.
Kreu komunal ka thënë se për të ardhur te një dokument sa më i qëndrueshëm dhe lehtë i zbatueshëm. “ Pres nga ju një bashkëpunim të arsyeshëm ku në këto debate keni mundësi t’i shpalosni brengat e juaja konkrete rreth gjendjes në teren dhe t’i shohim mundësitë që të përfshihen si prioritete për investime afatshkurta dhe afatmesme të komunës”, ka thënë ai, derisa i ka lutur t’i paraqesin problemet nëpër lagjet te tyre, nëpër fshatra dhe qytet dhe së bashku ta bëjmë më të mirën për komunën.