24-04-2024

Tipare të kulturës tumulare të Hasit

Prof.as. dr. Muhamet Bela ka publikuar rezultatet e arritura pas kërkimeve disavjeçare të kryer në terren dhe kabinet, në 18 tuma të trevës të Krumës, Myç-Hasit, Mujajve, Bjeshkës së Krumës etj.

Hasi në Republikën e Shqipërisë përbën një prej trevave të njohura edhe në pikpamje arkeologjike. Në plotësimin e tabllosë së zhvillimit prehistorik e protohistorik të kaluarës së largët të “dardanëve alpine” të kësaj treve, krahas studimeve të vendbanimeve, me mjaft interes janë të dhënat e përftuara nga nekropolet tumulare të Krumës, Myç-Hasit, Mujajve, Bjeshkës së Krumës etj.

 

Rezultatet e arritura janë rrjedhojë e punës kërkimore e studimore disavjeçare të kryer në terren dhe kabinet, duke u mbështetur mbi një lëndë relativisht të pasur e të larmishme të zbuluar në gërmimet e kryera nga ana jonë dhe e kolegëve në 18 tuma. Shumica e tumave të germuara i përkasin zonës jo larg lumit Drin dhe atij të Krumës, siç janë tumat e Myç-Hasit dhe ato të Krumës, ndërsa të tjerat kanë qenë vendosur në zona të larta malore, ku mund të përmendim tumat e Mujajve dhe të Bjeshkës së Krumës.

 

Të dhënat e para për praninë e tyre i kemi në vitin 1918 nga austriaku Budaj Arpad. Në raportin e botuar flitet për ekzistencën e 10 tumave në fushën e Krumës (B.Arpad, Regerzet Kutatas Albaniaban, Dolgozatog az erdeleye nemzeti Muzeum erem e regesegtararol Kolozvar, 1918.)

Në muajin gusht të vitit 1989, në një rrafshnaltë tipike malore, në Bjeshkë të Krumës, jo larg Tumave të Mujajve, në afërsi të vendit të quajtur “Stanet e Pekës” u gërmua një tumë tjetër( po ai..,f.149-142). Në ekspeditat e gërmimeve të tumave të Mujajve,Myç-Hasit,Bjeshkës Krumës, krahas autorit të këtij shkrimi, kanë marrë pjesë arkeologu, Prof.Dr. Luan Përzhita dhe skicografi Bislim Nerguti.

 

Tumat në përgjithësi kanë formë gjysmësferike. Lartësia mesatare e tyre është nga 0.32- 1.50 m, ndërsa diametri nga 7-30 m. Ato janë ndërtuar me dhe e gur bashkë, me mbizotrim të dheut.Nuk mungojnë dhe rastet ku për ngritjen e tumës është përdorur më shumë guri se sa dhéu. Tumat zakonisht ngrihen mbi një varr qendror dhe mbulojnë një ose më shumë varre. Në tumën V të Krumës varri qendror shoqërohet edhe me unazën rrethuese, element ky i njohur dhe në tumat e Kosovës, Matit, etj.

 

Varret janë me ose pa mbulesë po prej gurësh.Mbizotëron varrimi me trupvënie, ndërsa varrimi me djegie është një dukuri e rrallë. Në këto tuma janë të pranishme dhe varret “kenotafe”. Një mënyrë e tillë e ndërtimit të varreve, mbulimit me dhé e gurë dhe rrethimit të një pjese të tyre me unazë të gurtë është e njohur në disa qendra të tjera dardane Çinamak, Kënetë, Përbreg, Mamëz (Kukës), të Kosovës fqinjë, si në Romajë, Suharekë, Përçevë, Karagaç, etj, si dhe trevave të tjera të Ilirisë. Në dhéun e mbushjes së tumave dhe në nivele të ndryshme të tyre janë gjetur fragmente qeramike, objekte metalike , që lidhen me koncepte te caktuara rituale, etj.

 

Nuk mungojnë në ndonjë tumë pjesë të pareteve të furrave të ardhura këtu, siç duket nga vendbanimi. Sjellja e tyre në tumë, për mendimin tonë, ndoshta ka të bëjë me profesionin që ka ushtruar i vdekuri gjatë jetës, gjë që duhet ta vazhdojë dhe në botën e nëndheshme. Në tërësinë e gjetjeve në tuma , vendin kryesor e zënë qeramika, armët, dhe më pak stolitë.

 

Gjetjet më të shumta janë zbuluar në tumat Myç-Hasit dhe Krumës. Ndër format kryesore të enëve dallohen : enë dyvegjake; njëvegjake; tenxhere; filxhanë; tasë; pjatanca; kilikë,etj, të cilat kryesisht shoqërohen me maja heshtash prej hekuri dhe më rrallë me stoli.

 

Dyvegjaket dhe enët njëvegjake mjaft të parapëlqyera në zonën e bashkimit të dy Drinave, përbëjnë një nga format më të njohura të enëve të varrezave tumulare të kësaj treve.Kanë përhapje në tri periudhat e epokës hekurit. Mënyra e modelimit të tyre përbën një formë të njohur në dyvegjaket e Matit, Pazhokut e luginën e Drinosit të datuara në shek.XII-VIII pr.kr, por përhapje të gjerë kanë sidomos në shekujt VI-V pr.kr, si në Kukës, Kosovë, Mat, Korçë etj.

 

Ndër elementët zbukurues të këtyre enëve dallohen motivet e incizuara gjeometrike, ku incizimi realizohet dhe me vija të pjerrta në trajtë kurrizi peshku, kanelyrat e lehta e të shpeshta që mbushin shpatullat dhe barkun e enëve në disa rsate, si dhe dekori i gropëzave të cekta të përdorura në ndonjë rast në qafë të enës etj. Tenxhere: Ky tip ene njihet dhe në Bërnicën e Poshtme, Toponicën e Poshtme dhe datohen në shek.VIII para Kr. Filxhanë. Përbëjnë një formë të rrallë enësh për varrezat tumulare të kësaj zone. Dallohen tasat me buzë të mbledhura apo të drejta,të njohura në Romajë e vende tjera dhe datohen në shek..VI-V para Krishtit. Pjatancat. Enët e këtij lloji janë mjaft të kufizuara.

Për nga forma ngjasojnë mjaft me pjatancat konike dhe tasat turbandish të shpellës së Dajçit e Këputës të fillimit të epokës së hekurit. Megjithë praninë e ngjashmërive me tradita të hershme, përsosja që vihet re në modelimin e formave dhe teknika e punimit i ofron me qeramikën e shek.VI-V para Kr, me të cilën duhet të jenë bashkëkohëse. Kilikët janë të tipit Belsh c, të punuar me baltë të pastër me ngjyrë okër në rozë, të lyer me vernik të zi të dobët në sipërfaqe me breza horizontalë.

 

Trupi i tyre është i thellë dhe gryka e gjerë .Kilikë tipologjikisht të ngjashëm kanë dhënë me shumicë varrezat tumulare të Kukësit, Matit dhe datohen në fundin e shek. VI para Kr, dhe gjysmën e parë të shek.V para Kr. Armët. Armët përfaqësohen nga thika, majë heshtash, majë shigjetash, hanxharë, sopata etj. Përveç pak thikave prej bronzi të tipit mikenas, të gjitha armët janë punuar prej hekuri, ndër të cilat dominojnë majat e heshtave, hanxharët dhe thikat të përdorur më së shumti në shekujt VI-V pr.kr. Thikat prej bronzi janë mjaft të kufizuara në numër.

Në Krumë është gjetur një thikë bronzi me teh të lakuar nga ana e presës, ndërsa në anën tjetër është e drejtë. Kjo formë ngjason me një thikë të tillë të zbuluar në Greqi (Deshayes, Les outils de bronze de l`indus au Danube (Ive au II e millénaire) II, Paris 1960, tab.XLV,14 (2720). Në tumat e Myç-Hasit janë gjetur dy thika bronzi të tipit mikenas me një presë. Kurrizi i tyre është krejtësisht i drejtë dhe tehu paksa i harkuar në majë.

 

Forma të tilla thikash janë zbuluar dhe në Çinamak (B.Jubani,Tumat e dardanëve alpinë në Çinamak (disertacion). Përçinat e vendosura në trajtë L-je na kujtojnë përafërsisht ato të vëna në thikat e bronzit të vonë të këtij tipi të Matit, por këto të Myç-Hasit këndin e bashkimit e kanë në drejtim të kundërt me ato të Matit. Një mënyrë e tillë vendosje nuk është vërejtur as në thikat e tjera prej bronzi të zbuluara në vendin tonë. Majat e heshtave. Përbëjnë një ndër kategoritë kryesore të materialit të lëvizshëm arkeologjik. Ato janë mjaft të njohura në varrezat tumulare të Kukësit e Matit, Shkodrës,Korçës, Kolonjës etj.

 

Tumat e Myç-Hasit kanë patur numrin më të madh të armëve prej hekuri, ndër të cilat mbi 89% ishin majat e heshtave, rreth 90 copë. Duke u mbështetur në ekzemplarët e ruajtur më mirë, mund të përcaktojmë dy tipa kryesorë: Tipi I; majë heshte me fletë të gjerë, me kurriz pak të theksuar mesor, me fletë që paraqitet me gjerësi të zakonshme ose edhe më e gjerë se të tjerat. Këto përbëjnë gjetje të pakta. Tipi II; përfshihen majat e heshtave me fletë të ngushtë, me kurriz të theksuar mesor.

 

Heshtat e grupit të parë e të dytë kanë karakteristikë të përbashkët dy veçori; zgjerimin e fletës në fund të saj dhe zgjerimi sipër fundit të fletës. Heshtat me fletë të gjerë, në ndonjë rast, shoqërohen në varre me filxhanë grykëgjerë dhe tenxhere të datuara në shek.VIII-VII para Kr, ndërsa heshtat me fletë të ngushtë, mjaft të përhapura në varre e jashtë tyre, njihen si tipi më i rëndomtë i armëve ilire, që takohen kryesisht në shek.VI-V para Kr. Hanxharët.

Në varrrezat e këtyre tumave janë zbuluar hanxharë hekuri të përmasave të ndryshme. Nga objektet e ruajtura më mirë shihet se gjatësia e tyre shkon nga 34-44 cm. Hanxharët janë me kurriz e teh të harkuar, më i shpeshti dhe me kurriz të harkuar e teh të drejtë, që vjen e ngrihet afër majës. Doreza e hanxharëve në rastet më të shumta është me me mbarim të harkuar dhe paraqitet si vazhdim i krahut të hanxharit.

Ajo në të gjitha rastet ruan nga dy perçina hekuri të vëna në vijë horizontale. Këto hanxharë njihen dhe në tumat e Kënetës (Kukës), si dhe ngjasojnë me objekte të këtij lloji të tumave të Matit e Kosovës ku datohen në shek.VI-V para Kr. Thikat e hekurit janë të tipit me kurriz e me the, ku më shumë e ku më pak të theksuar. Zakonisht kanë përmasa të vogla. Disa prej tyre ishin pajisur me një ose më shumë vrima në vendin ku vendosej, siç duket, doreza prej druri.

Varrezat tumulare rezulton se kanë afruar material të qartë të kulturës ilire, që nga fundi i epokës së bronzit e deri në fund të epokës së hekurit. Nuk mungojnë rastet, ndonëse sporadike, kur tumat të jenë shfrytëzuar për varrim edhe në periudhat e mëvonshme antike mesjetare. Eshtë ky pozicion gjeografik i favorshëm që ka mundësuar banimin e kësaj treve që në kohëra të hershme të historisë njerzore e gjer në ditët e sotme, duke qenë në lidhje të vazhdueshme me zonat fqinjë më të afërta apo më të largëta.

 

Përmes luginës së Drinit të Bardhë, Qafës së Prushit etj sigurohej lidhja e drejtpërdrejtë me Kosovën dhe më tej me kulturat e Ballkanit Qendror, ndërsa nëpërmjet luginës së Drinit të Zi janë krijuar lidhje me Shqipërinë Juglindore, piksëpari me zonat rreth liqenit të Ohrit e më në lindje me ato të Pelagonisë. Ndërsa përmes luginës së Drinit të Bashkuar komunikohet me ultësirën bregdetare.

Luginat e lumit të Krumës, si dhe arterieve më të vogla të përrenjve të Hasit ofronin në anët e tyre fusha aluvionale mjaft pjellore. Më në lartësi spikasin malet e Pashtrikut,Aplasit, si dhe Bjeshkët e Kr umës,Vranishtit,Tregtanit,Gjinajveetj,të cilat shquhen për mjedisin e tyre alpin. Këto kushte natyrore kanë mundësuar zhvillimin e bujqësisë, blektorisë dhe peshkimit që në lashtësi.

 

E tërë kjo trevë ilire dallohet për pasuritë e shumta metalifere siç janë bakri, kromi, hekur nikeli, etj gjë që ka sjellur zhvillimin e metalurgjisë së bronzit dhe të hekurit. Mjafton të përmendim faktin se vetëm në tumat e Myç-Hasit janë gjetur rreth 100 armë ilire. Kultura e tumave të Hasit në tërë përbërësit e saj, si në pikpamje të teknikës së punimit, të formave dhe të dekorit të qeramikës, qoftë përsa i përket objekteve metalike, si dhe mënyrës karakteristike të varrimit në tuma, paraqet tipare mjaft të ngjashme me ato të fondit kulturorë dardan.

 

Ajo gjithashtu ruan mjaft elementë që janë karakteristike për krahina të tjera ilire, veçanërisht për ato veriore, jugore e juglindore të Shqipërisë. Shfaqjet e veçanta që vihen re në këtë mikrozonë të trevës dardane janë të karakterit lokal dhe nuk e cënojnë aspak tablonë e unitetit etnokulturor të bartësve të kulturës së tumave të Hasit, Kukësit, Tropojës, Rrafshit të Dukagjinit, etj. Kultura tumulare e zbuluar në Has të Republikës së Shqipërisë inkuadrohet në një njësi etnokulturore më të gjerë, në grupin ilir qendror Mat-Glasinac, karakteri ilir i së cilës as që mund të vihet në dyshim.

 

Duke u përfshirë në grupin kulturor Mat-Glasinac si një variant i veçantë i saj, me veçori lokale e tipare individuale, kjo kulturë me shtrirjen e saj, përputhet me territorin e banuar historikisht nga dardanët. Të dhënat nga gërmimet e kryera në pjesën perendimore të Dardanisë, veçanërisht në varrezën më të madhe tumulare të Çinamakut apo varrezat e tjera, siç janë tumat e Krumës, Kënetës, Bardhocit,Mamëzit, Bujanit, Myç-Hasit, Mujajve etj, provojnë se kjo kulture ishte pjesë përbërese e popullsisë ilire. Natyrisht kërkimet e mëtejshme arkeologjike në këtë trevë të Dardanisë do ofrojnë të dhëna të mëtejshme, të cilat do plotësojnë gjithnjë e më mirë tabllonë historiko kulturore të kësaj treve tejendanë iliroarbërore./koha.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.