Suhareka me rrethinë është përfshirë në dhembjen, që një ditë më parë shkaktoi aksidenti fatal, ku u shua një familje e tërë, që po udhëtonte në veturën e aksidentuar, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
E dhembje ka edhe qyteti i afërt Prizreni dhe qytetarët tjerë të vendit, që kanë shprehur keqardhje për rastin.
Aksidenti fatal në Biraqë, në magjistralen Suharekë-Duhël, ku humbën jetën pesë anëtarë të familjes Sadikaj, ndodhi në mes të veturës së tipit BMW dhe një autobusit të kompanisë “Bress Tours’, që mban linjën nga Prishtina për Prizren dhe anasjelltas.
Në aksident humbën jetën bashkëshortët me dy fëmijët e tyre dhe nëna e shoferit. Policia në Prizren, ka njoftuar se vetura e aksidentuar ishte me tabela vendore 01, pra të Prishtinës, ndërsa mendohet se vozitës pas kthimit nga Zvicra për pushim e kishte marrë për shfrytëzim me qira.
Menaxheri i kompanisë, Fikrim Salihu, ka deklaruar se autobusi ka qenë në rregull, duke respektuar lëvizjen në rrugë, por që vetura ka ardhur me shpejtësi dhe ka rrëshqit tek autobusi, i cili ka qenë në rrugë të vetën.
Ai në emër të kompanisë u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimave.
Gjithashtu është njoftuar se si pasojë e aksidentit tretman mjekësor ka pranuar edhe shoferi
Zyrtari policor për media, Vesel Gashi ka thënë se për nxjerrjen e viktimave nga vetura është dashur intervenim nga zjarrfikësit dhe prerjet me fleks, për shkak të dëmtimit të madh që ka pësuar vetura e aksidentuar.
Në rajonin e Prizrenit vlerësohet se ky është aksidenti më i rëndë që ka ndodhur së paku për 40 vjetët e fundit, pasi nuk mbahet mend që një familje e tërë me 5 anëtarë të vdes në këtë formë, aq më tepër që të gjithë në vendin e aksidentit.
Nesër (e martë) do të bëhet varrimi i anëtarëve të familjes Sadikaj, nga fshati Sopijë. Komuna e Suharekës e ka shpallur këtë Ditë zie, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
Ndërkohë nëpër rrjetet sociale, qytetarë të shumtë derisa po shprehin keqardhje për rastin tragjik, përmes publikimit të fotografive të trishtueshme nga vendi i aksidentimit, po kërkojnë sensibilizim për kujdes dhe respekt të rregullave në trafik, duke u lumtur që ky të jetë rasti i fundit i vdekjeve nëpër rrugë.