26-04-2024

Supremja liron nga disa pika të akuzës, të dënuarit për fajde nga Prizreni

Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e 15 korrikut, ka aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, Tunë Kçiraj, K.K., Gj.K., M.K., B.B., Gj1.K. dhe G.K. (shumica nga familja Kçiraj) dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në disa pika të dispozitivit.

Të pandehurit akuzohen për shkak të veprës penale “Fajdeja” dhe veprës penale “Detyrimi”.

“Me aprovimin e pjesshëm të këtyre ankesave, u ndryshua aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, APS. nr. 43/2020, përkitazi me disa pika të dispozitivit të aktgjykimit për veprën penale të ‘Fajdes’, nga Neni 343, par. 3, lidhur me par. 1 të KPRK dhe veprës penale ‘Detyrimi’, nga Neni 340, par. 2, lidhur me par. 1 të KPRK-së, për të cilat pika në pajtim me Nenin 364, pikën 1.3 të KPPK-së, të akuzuarit lirohen nga akuza, ndërkaq pjesa tjetër e aktgjykimit ka mbetur e pandryshuar, me përjashtim të lartësisë së dënimeve”, njofton kjo Gjykatë.

Supremja ndërkaq njofton se të akuzuarit i ka gjykuar me dënim unik me burgim si në vijim:

-T.K., me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh dhe dënim me gjobë në shumën prej 15.000 (pesëmbëdhjetëmijë) €, në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 28.05.2015 deri më 29.08.2017;

– K.K., me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh e 6 (gjashtë) muajsh dhe dënim me gjobë në shumën prej 15.000 (pesëmbëdhjetëmijë) €, në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 28.05.2015 deri më 11.10.2017;

– Gj.K., me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh dhe dënim me gjobë në shumën prej 10.500 (dhjetëmijepesëqind) €, në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 28.05.2015 deri më 11.10.2017;

– M.K., me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 8 (tetë) muajsh dhe dënim me gjobë në shumën prej 7.500 (shtatëmijepesëqind) €, në dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 28.05.2015 deri më 12.06.2015, si dhe nga data 24.07.2015 e deri më 11.10.2017;

– B.B., me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh e 6 (gjashtë) muajsh dhe dënim me gjobë në shumën prej 15.000 (pesëmbëdhjetëmijë) €, në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 28.05.2015 deri më 03.10.2017;

– Gj1.K., me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 8 (tetë) muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 2.500 (dymijepesëqind) €, në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 28.05.2015 deri më 26.01.2016;

– G.K., dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 8 (tetë) muajsh dhe dënim me gjobë në shumën prej 2.500 (dymijepesëqind) €, në dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 10.11.2015 deri më 02.09.2016.

“Në rast se të akuzuarit nuk i paguajnë dënimet me gjobë në afat prej 3 (tre) muajsh, dënimet me gjobë ndaj secilit të akuzuar do të zëvendësohen me dënim me burgim, ku secilit të akuzuar do t’i llogaritet për çdo 20 € të gjobës me një ditë burgim”, ka theksuar në fund Gjykata Supreme e Kosovës. /Zëri

Asnjë koment

Comments are closed.