Sveçla: Njohja e patentave nga Gjermania në fazën përfundimtare
Bëhet e ditur se ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla është takuar me homologun e tij nga Bavaria, Joachim Herrmann, transmeton albinfo.ch
Sipas ministrit Sveçla, ndër bisedat e zhvilluara ka qenë edhe njohja e patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania.
“Jemi në fazën finale të njohjes së patentshoferëve të Republikës së Kosovës nga Gjermania”, njoftoi Sveçla në rrjetet sociale.
Theksohet se takimi i radhës i Bundesratit do të mbahet me 11 shkurt, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht se njohja e patentëve nga Kosova e Shqipëria do të jetë në rend dite. Ndryshe, njohja është parashikuar të ndodhë për të dyja vendet njëkohësisht.
Po ashtu, Sveçla dhe Herrmann kanë biseduar edhe për luftën e krimit të organizuar, korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin socio-ekonomik veçanërisht tani gjatë përballjes me pandeminë Covid-19. Minsiti i Brendshëm i Kosovës thotë se ndër prioritetet janë edhe liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në Interpol. Sipas tij, pala gjermane ka treguar gatishmëri të plotë për mbështetje. /Albinfo.ch