Tahirsylaj tregon se deri kur do të ketë temperatura të ulëta
Dita e sotme ka nisur me temperatura të ulëta. Minus 10 gradë celsius është minimalja që u shënua sot në Kosovë. Masat ajrore që kanë ardhur nga verilindja kanë shkaktuar këtë ndryshim të motit. Mot i ngjashëm si sot pritet të mbajë deri ditën e mërkurë. Ish-drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tani profesor i Meteorologjisë në Universitetin e Prishtinës, Sylë Tahirsylaj, tregon më shumë për gjendjen e motit në vendin tonë.
Javën që e lamë pas, moti ka befasuar qytetarët e Kosovës. Dielli e ka ngrohur gjithë vendin, por një ndryshim i papritur erdhi gjatë ditës së djeshme. Sylë Tahirsylaj tregon pse u shkaktua ky ndryshim i motit, megjithatë e quan normale pasi jemi në stinën e dimrit. Thotë se edhe muaji mars nuk do të jetë stabil sa i përket ndërrimit të temperaturave.
“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të cilat kanë dalë nga pjesa verilindore e rajonit. Këto masa kanë veti të ndryshme fizike, gjatë rrugëtimit të vet ndryshojnë karakteristikat nga vendet ku krijohen. Këto masa ajrore shkaktojnë ulje të temperaturave në vendin tonë pavarësisht nga stina e vitit”, tha Tahirsylaj.
Temperaturat e ulëta si këto të sotmet pritet të jenë deri ditën e mërkurë.
“Prandaj, ka pas një ulje të temperaturave krahasuar me javën që e lamë pas. Sot ka qenë -10 gradë celsius, këto masa kanë gjatë ditës së sotme, nesër e pasnesër deri të mërkurën, temperaturat minimale do të jenë të qëndrueshme por jo në nivelin ekstrem”, tha Tahirsylaj sot për Gazetën Express.
Profesori Tahirsylaj tha se edhe muaji mars do të jetë stabil.