20-05-2024

Të arrestuarit për shitblerje të drogës në Prizren dalin para Gjykatës, ky është vendimi për paraburgim

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji katër të dyshuarve të cilët u zunë me drogë në Suharekë dy ditë më parë.

Të arrestuarit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bënë me dije se personi kryesor i dyshuar për këtë rast ishte Sali Selmanaj, ndaj të cilit ishte caktuar masa e ndalimit policor, së bashku me tre personat e tjerë.

Sipas Policisë, droga e sekuestruar kishte sasinë e 50 kilogramëve, e cila ishte e llojit marihuanë.

Njoftimi i plotë:

Gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresave të lëndës dhe provave materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e bazuar.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Nga data e pavërtetuar e deri më datë 20 prill 2024m pa autorizim posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, në atë mënyrë që pasi substancën narkotike e kishin siguruar nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e kishin fshehur në fsh………., Komuna e Suharekës, e pikërisht në shtëpinë e të pandehurit S.S., të njëjtën substancë narkotike i ofrojnë për shitje dy personave në pompën e derivateve “…………” në rrugën e transitit në Prizren, ashtu që derisa të pandehurit N.K., M.M., dhe N.U., me një person qëndrojnë në pompën e benzinës, i pandehuri S.S., me personin tjetër – blerësin potencial shkojnë në fsh………. në shtëpinë e të pandehurit S.S., për ta verifikuar substancën narkotike, me ç’ rast sipas urdhëresës së gjykatës themelore në Prizren, kontrollohet shtëpia e të pandehurit S:S., ku policia gjen 50 kg e 600 gram substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohet, duke u bazuar në provat materiale të mbledhura deri në këtë fazë, dhe atë:: Raportet policore, raporti për konfirmim të bastisjes, procesverbali për kontroll dhe sekuestrim, provat materiale për masat e fshehta, faktin se të pandehurit janë zënë në flagrancë nga ana e Policisë në posedim të substancës me qëllim të shitjes.

Duke pasur parasysh faktet e lartcekura, gjithashtu duke marrë parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrë së rëndë, sipas vlerësimit të Gjykatës me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, kjo duke u bazuar edhe në faktin se dy (2) të pandehur rezultojnë me të kaluar kriminale me vepra penale të narkotikëve, tregojnë rrezikun se të njëjti me lënien në liri mund të përsërisin vepra të ngjashme penale, andaj në këto rrethana caktimi i paraburgimit është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm për të siguruar procedimin e papenguar të fazës hetimore.

Meqenëse faza hetimore është në fazën fillestare, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktim i paraburgimit është i domosdoshëm, me qëllim të mbarëvajtjes së fazës hetimore, dhe se me lënien në liri të të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale ka arsye për të besuar se të njëjtit do të asgjësojnë, fshehin provat materiale në këtë çështje penale, duke ndikuar në fshehejn, shkatërrimin apo marrjen e provave apo të ndikojnë dhe paralajmërojnë persona të tjerë të cilët mund të kenë bashkëpunuar në shit blerjen e narkotikëve, si dhe të ndikojnë në deklarimet e njëjti – tjetrit, meqenëse të pandehurit njihen në mes vete, për çka është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm. Nga të lartcekurat me qëllim të sigurimit të të pandehurit në procedurën hetimore, dhe zhvillimit të rregullt e të papenguar të fazës hetimore, gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit nga ana e Gjykatës është masë e arsyeshme dhe më se e domosdoshme”, thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.