19-04-2024

Të burgosurit po përtojnë t’i marrin paratë e tyre, do t’u dërgohen në shtëpi

Nga 1 cent, 5 centë e deri 200 euro që kanë përtuar t’i marrin të burgosurit pas lirimit, vlera e depozitave të pakthyera ka arritur në rreth 28 mijë euro. Këto mjete monitorohen nga Thesari i Shtetit dhe janë në dispozicion kurdo që të liruarit kompletojnë dokumentacionin për tërheqje. E meqenëse të liruarit nuk po shkojnë t’i tërheqin mjetet, Shërbimi Korrektues ka hartuar një plan, që do të mundësojë kthimin e këtyre parave te secili i burgosur, raporton Express.

As këtë vit, Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka arritur që t’i kthejë të gjitha depozitat e të burgosurve të liruar.

Nga 1 cent, 5 cent e deri në 200 euro, që të liruarit nuk i kanë marrë përgjatë viteve, shuma e depozitave të pakthyera deri në fund të 2019’ës ka arritur në gati 28 mijë euro.

Në ShKK, mos kthimin e këtyre parave e lidhin me mos interesimin e të burgosurve për t’i tërhequr.

Thonë se pas lirimit ata i telefonojnë të burgosurit që të bëjnë tërheqjen e mjeteve, por se të njëjtit nuk interesohen.

Por, për këtë çështje, ky institucion duket se e ka gjetur zgjidhjen tashmë.

Secilit prej të liruarve, do t’ua dërgojnë mjetet në shtëpi.

“Andaj pas lirimit, ne ju telefonojmë të burgosurve që të bëjnë tërheqjen e mjeteve, por nga ana e tyre nuk është shprehur interesim për shkak të shumave të vogla. Lidhur me këtë, SHKK tashmë ka hartuar planin që secilit prej të liruarve deri më tani t`ua dërgojë mjetet në shtëpitë e tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar në SHKK.

E nga përtesa e të liruarve për t’i marrë këto mjete, deri tash janë grumbulluar rreth 28 mijë euro.

Zëdhënësi i ShKK’së, Florent Gashi i ka thënë Gazetës Express, se mjetet mbeten në llogaritë e burgjeve dhe monitorohen nga Thesari i Shtetit.

Sipas tij, nëpër të gjitha institucionet korrektuese është nga një zyrtar për menaxhimin e parave të të burgosurve.

“Këto mjete mbeten në llogaritë e burgjeve dhe monitorohen nga Thesari i Shtetit, dhe janë në dispozicion kurdo që të liruarit kompletojnë dokumentacionin për tërheqje të mjeteve përmes transfereve bankare apo të paraqiten në institucione korrektuese”, ka treguar Gashi.

Ai tregon se kjo shumë e parave është grumbulluar që nga viti 2005, kur edhe ka filluar pranimi përmes llogarive i parave të të burgosurve.

“Kjo shumë, në vlerë prej 27,814 €  është grumbulluar që nga viti 2005, kur edhe ka filluar pranimi përmes llogarive i parave të të burgosurve. Shuma është grumbulluar, duke filluar nga 0.01 cent, 0.05 cent, 0.10 cent , 0.50 , 1 euro, e deri në 200 euro”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, mos kthimi i i parave të të burgosurve përmendet edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“MD, respektivisht Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), nuk kishte arritur t’i kthej të gjitha depozitat e të burgosurve të liruar. Vlera e depozitave të pakthyera për të burgosurit e liruar në fund të vitit 2019 ishte 27,814€. Sipas zyrtarëve përgjegjës, këto mjete nuk janë kthyer, për arsye se disa nga të burgosurit pas lirimit, nuk janë interesuar për mjetet të cilat ju kanë mbetur si depozita”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, moskthimi i mjeteve të burgosurve të cilët i përfundojnë dënimet apo lirohen, ka ndikuar në dëmtim financiar të personave të liruar.

Ky institucion i rekomandon drejtorit të Shërbimit Korrektues që të sigurojë që zyrtarët përkatës të cilët janë të ngarkuar me menaxhimin e parave të të burgosurve, me rastin e përfundimit të dënimeve, secilit person të liruar nga burgu t’ia kthejë mjetet që ka në depozitë.

Kthimi i mjeteve të të burgosurve është i rregulluar edhe me ligj. Neni 131, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 04/L-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale parasheh se “Pas lirimit, personit të dënuar i jepen të gjitha gjërat dhe sendet personale të cilat atij i janë ruajtur nga institucioni korrektues, kursimet e tij dhe paratë që i ka pranuar gjatë kohës së mbajtjes së dënimit”. /Gazeta Express

Asnjë koment

Comments are closed.