Telegraph e quan kombëtaren e Kosovës ‘Brazili i Ballkanit’
Gazeta prestigjioze, The Telegraph, i ka kushtuar një artikull përfaqësueses së Kosovës në futboll, të cilës iu ka referuar si “Brazili i Ballkanit”.
E përditshmja britanike ka treguar se kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur vitin 2018, si e pamposhtur dhe ka shansin që të kualifikohet në Kampionatin Europian me rekord golash në Ligën e Kombeve.
“Tani loja e tyre e bukur ka përkrahës që e quajnë përfaqësuesen ‘Brazili i Ballkanit” shkruan The Telegraph, transmeton Klan Kosova.
“Në mëngjesin e ditës së ndeshjes, Kosova dështoi të anëtarësohej në Interpol, që paraqet vështirësi për njohje ndërkombëtare. Por kjo nuk i ndali fansat që të festonin frytet e dy dekadave rindërtim dhe suksesit të përfaqësueses që drejtohet nga zvicerani Bernard Challandes”.
“Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami ishin në gjeneratën e lindur shumë herët për ta përfaqësuar Kosovën, por Arbër Zeneli i Heerenveenit, Milot Rashica i Werder Bremenit dhe portieri i Manchester Cityt, Arjanet Muriqi janë yjet potenciale që luajnë për Kosovën”.
“Kjo reflekton popullatën e këtij vendi që ka moshën mesatare 27.8, më të rejën në Europë”.