02-07-2020

Telekomi do t’i ulë pagat, kursimi 300 mijë euro në muaj

Telekomi i Kosovës pritet që t’i zvogëlojë rrogat për të gjithë punëtorët e tij nga muaji maj.Kursimet pritet të kapin vlerën e rreth 300 mijë eurove në muaj, apo në total rreth 3.5 milionë euro në vit.

Kohavisioni ka parë propozimin e menaxhmentit të ri të Telekomit, i cili ul pagat dhe redukton pozitat menaxhuese të ndërmarrjes në rreth 50 për qind.

Sipas këtij dokumenti, paga e kryeshefit, e cila ka qenë në vlerë prej 5 mijë e 182 euro, do të zbritet për 2.932 euro, apo saktësisht pas 1 majit do të jetë 2.250 euro.

50 për qind zbritje do të ketë edhe për 5 menaxherë të tjerë, për sekretarin, zyrtarin kryesor të financave dhe shefen e auditimit, që është gruaja e deputetit të PDK-së Mergim Lushtaku, Shehide Lushtaku.

Asaj do t’i zbritet paga, nga 3.500 euro sa e kishte, në 1.750 euro.

Ne këtë top 5-she kanë qenë edhe dy zëvendëskryeshefat, Zeqir Kiqina dhe Ali Gjyliqi, ky i fundit miku i Fatmir Limajt.

Por, pozitat e tyre pritet të shuhen pas shkarkimit të tyre të premten e kaluar nga bordi i përkohshëm i Telekomit.

Në gradën 15 është kunata e ish-kryeministrit Haradinaj, Vesmira Haradinaj, paga e së cilës e kap shifrën 2.225 euro, pagë të cilën e kanë pasur edhe 30 zyrtarë të tjerë dhe për të gjithë ata ajo do të zbritet në 1.600 euro.

Shumica e punëtorëve të tjerë të Telekomit, e që janë 2 mijë e 146, do të kenë zbritje page në vetëm 10 për qind.

Në arsyetimin e tij, menaxhmenti i ri ka theksuar se në muajin mars 2020 shpenzimet e pagave kishin arritur vlerën mujore në 2 milionë e 310 mijë euro, apo 66 për qind e të hyrave të këtij muaji.

Menaxhmenti ka paraparë ristrukturimin urgjent të ndërmarrjes në 4 pika: të vlerësojë nevojat reale të Telekomit për numrin e të punësuarve me pagat nga grada 1 deri në 11, të reduktojë pozitat menaxhuese, të vendosë kritere të qarta të kualifikimeve dhe eksperiencën për pozitat përzgjedhëse të stafit dhe rishikim të nivelit të pagave për secilën pozitë.

“Meqenëse tre hapat e parë kërkojnë një kohë relativisht më të gjatë, ndërsa gjendja financiare e kompanisë është duke u vështirësuar vazhdimisht, sipas vlerësimit tonë është e domosdoshme që fillimisht të bëhet rishikimi i nivelit aktual të pagave për secilën pozitë”, thuhet në letrën e menaxhmentit.

Sipas informacioneve, me këto propozime është pajtuar Bordi, porse ende nuk janë votuar pasi kërkohet që të merret pëlqimi i Sindikatës së punëtorëve, që vazhdimisht ka kërkuar që pagat të mos preken.

Aktualisht, Telekomi i Kosovës ka mbi 50 milionë euro borxhe, derisa borxhet vetëm nga janari janë rritur për 7 milionë euro./koha.net

Image

Asnjë koment

Comments are closed.