Telekomi i Kosovës shton 500 konsumatorë të rinj në Prizren
Mbi 500 konsumatorë të rinj që përbëjnë tërë administratën në nivelin komunal të Prizrenit tash e tutje do jenë përfitues të shërbimeve telekomunikuese të Telekomit të Kosovës.
Kjo u bë e mundur të enjtën pas nënshkrimit të kontratës për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese për Kuvendin Komunal të Prizrenit në mes të Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Gent Begolli dhe kryetarit të kësaj komune, Mytaher Haskuka.
Të gjithë punonjësit e komunës së Prizrenit, si dhe personeli mjekësor dhe administrativ i nëntë qendrave të mjekësisë familjare të kësaj komune, nga dita e sotme do të mund të komunikojnë më shumë, por me shpenzime më të ulëta, pasi që, pakot e përzgjedhura janë shumë atraktive dhe më të favorshme që mundësojnë dhe lehtësojnë këtë komunikim dhe jo vetëm.
“Pas shumicës së komunave që tashmë dihet që i janë bashkuar VALA-s dhe kanë në shfrytëzim shërbimet dhe produktet e reja të saj, sot nënshkruam me komunën e Prizrenit, për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese që përveç që do të lehtësojë komunikimin e punonjësve komunal dhe personelit shëndetësor, gjithashtu është edhe një tjetër dëshmi se, Telekomi i Kosovës edhe me tutje mbetet operatori më i preferuar i telefonisë dhe internetit në vendin tonë”, deklaroi Gent Begolli, Kryeshef Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës.
Nënshkrimi i kësaj kontrate do të mundësojë ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile, fikse, internetit dhe IPTV-së, duke përmbushur nevojat e shtuara për komunikim të shpejtë dhe njëkohësisht duke shtuar numrin e konsumatorëve të rinj.
“Siç dihet Telekomi i Kosovës ofron shërbime cilësore, aq më mirë kur këto shërbime ofrohen edhe për të gjithë ne, në komunë duke krijuar mundësi të shumta të komunikimit që na ndihmojnë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ndaj qyetatarëve tanë, sepse përgjegjësia ndaj qyetatarëve është e lidhur ngushtë pikërisht me efikasitetin kohor që mundësohet përmes teknologjisë së shpejtë”, u shpreh Mytaher Haskuka, kryetar i KK të Prizrenit.
Marrëveshja e sotme dëshmon përkushtimin e Telekomit të Kosovës për të plotësuar në vazhdimësi nevojat e të gjithë konsumatorëve, institucioneve publike dhe atyre private, për qasje sa më të lehtë në shërbimet e telefonisë mobile, fikse, internetit dhe IPTV-së.