26-04-2024

‘Tender pazari’: Ulësen e 11 eurove Haskuka e paguan 995 euro

Kontrata të dyshimita në “mjegullën “e pandemisë dhe në emër të luftimit të pandemisë, kontrata me çmime të larta të produkteve dhe me shumë hapësira për keqpërdorime e kanë karakterizuar Komunën e Prizrenit të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Me Mytën e mysim korrupsionin ” ishte parulla kryesore e liderit të Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fushatës parazgjedhore në Komunën e Prizrenit.

Megjithatë, realiteti duket të jetë ndryshe. Pesë drejtorë të Komunës së Prizrenit me aktakuza për vepra të korupsionit, dy zyrtarë ligjor të arrestuar dhe nën hetim për vepra penale të korrupsionit, zyrtari i prokurimit me aktakuzë për vepra penale të korrupsionit, dhe disa inspektorë të Komunës gjithashtu me më shumë se nga një aktakuzë për vepra penale korruptive, duket që nuk e kanë “myt” korrupsionin në këtë Komunë ashtu siç me zë të lartë thërriste lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Lajme365 ka identifikuar një tender të dyshimtë në Komunën e Prizrenit të udhëhequr nga Vetëvendosje. Çmimet diametralisht të ndryshme për produkte thuajse të ngjashme, ngrisin dyshime se ky tender me kohë është “qëndisur” për njerëz të afërt me Vetëvendosjen.

Në dhjetor të vitit 2018, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar një kontratë tre vjeçare me kompaninë ” NABS ” në vlerë prej gati 290 mijë Euro.

Kontrata në fjalë parasheh ndërtimin e miniparqeve, furnizimin dhe vendosjen në hapësira publike të ulëseve, koshave për plehra dhe ndriqimit në hapësirat publike në Komunën e Prizrenit.

Kontratën mund ta shikoni këtu: Kontrata për ndërtimin e parqeve 622-18-080-521

Menaxher i projektit është drejtori i shërbimeve publike Levent Kasëmi, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku dyshohet për keqpërdorim me kontrata me pronat e komunës.

Karakteristikë kryesore e kësaj kontrate është ofrimi njëkohësisht i çmimeve astronomike dhe çmimeve simbolike për produkte të ngjashme.

Lajme365 ka analizuar në detaje çmimet dhe specifikat e kontratës dhe të produkteve.

Një ulëse parku (Modeli 1) sipas kësaj kontrate kushton plot 995 Euro, shumë të cilën e ka paguar Komuna e Prizreni për ulëset në foton e mëposhtme. Sipas hulumtimit të Lajme365, çmimi në treg i këtij produkti është rreth 350 Euro.

Ulëse nga çeliku i galvanizuar, ngjyrë elektrostatike është produkti që Komuna e Prizreni do të blenë 60 copë me një çmim total prej 59,700 Euro.

Por kompania ka ofertuar me çmim shumë herë më të lirë për një ulëse pothuajse të ngjashme.

Për ulësen e paraqitur në fotografinë e mëposhtme (Modeli 2), e që pothuajse është identike me Modelin 1, kontrata e nënshkruar parasheh vlerë prej vetëm 11 (njëmbëdhjetë) Euro. Sipas hulumtimit të Lajme365, çmimi në treg i këtij produkti është rreth 300 Euro.

Një dallim shumë i lartë në çmime është edhe në dy produkte tjera.

Një shtyllë me dukje dekorative antike dhe një e tillë moderne me llambë LED komunës i ka kushtuar plot 900 Euro dhe për 110 copë komuna do të paguajë plot 100 mijë Euro. Sipas hulumtimit të Lajme365, çmimi në treg i këtyre produkteve është vetëm rreth 300 Euro.

Për ironi, një shtyllë e ngjashme me dukje dekorative antike por me sistem solar, kontrata parasheh të kushtojë vetëm 11 (njëmbëdhjetë) Euro. Sipas hulumtimit të Lajme365, çmimi në treg i këtij produkti është rreth 1,100 Euro.

Anomalitë me çmimë në këtë tender të Komunës së Prizrenit janë prezente pothuajse në të gjithë artikujt tjerë.

Sipas ekspertëve të prokurimit, të cilët në kushte anonimiteti janë deklaruar për Lajme365, tenderi në fjalë posedon shumë elemente të cilat e bëjnë atë të dyshimtë.

Ata theksojnë se ofrimi i çmimeve trefish më të larta për produkte të caktuara dhe ofrimi i çmimeve simbolike për produktet tjera të ngjashme, janë shenja të një marrëveshjeje paraprake në mes zyrtarëve të Komunës së Prizrenit dhe të kompanisë fituese të këtij tenderi.

Lëvizjet e tillë me çmime në tenderë, gjithnjë sipas ekspertëve të prokurimit, bëhen me qëllim të eliminimit të konkurrencës në proces të prokurimit, kjo pasi kompanitë tjera, të painformuar për ekzistimin e marrëveshjeve të mundshme, ofrojnë çmime reale për secilin produkt të kërkuar duke dalë kështu më të shtrenjtë në proces të prokurimit, gjë e cila rezulton me eliminimin e tyre.

Lajme365 në vazhdimësi ka raportuar për tenderë dhe kontrata të dyshimta për keqpërdorime nga Komuna e Prizrenit, sidomos në kohë pandemie.

Lajme365 ekskluzivisht kishte raportuar se Komuna e Prizrenit në kohë pandemie, ka nënshkruar një kontratë të dyshimtë në vlerë prej 102,040.00 euro për furnizim me materiale me çmime shumë herë më të larta se ato në treg, për më tepër ky tender i është dhënë një kompanie që organizon konferenca e panaire.

Kontrata e nënshkruar në mes Komunës së Prizrenit dhe “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Prizreni ngre dyshimet për keqpërdorime të parasë publike. Kjo ka bërë që i gjithë procesi të jetë i dyshimtë për keqpërdorime të mundshme, ndërsa nga dosja e tenderit dyshohet se vlera e mundshme e keqpërdorimit në këtë rast mund të kap shumën prej dhjetëra mijëra eurosh.

Komuna e Prizrenit nuk është hera e parë që ka realizuar blerje të produkteve me çmime shumëfish më të larta se çmimet e tregut.

Lajme365 ekskluzivisht kishte raportuar që Komuna e Prizrenit kishte paguar 43 Euro për një këmishë dhe 94 Euro për një jakne, për uniformat e punonjësve të administratës.

Dorëheqje, shkarkime e aktakuza për keqpërdorime të detyrës zyrtare ndaj drejtorëve të Komunës së Prizrenit kanë karakterizuar dy vitet e para të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Mytahir Haskukën.

Mytahir Haskuka në mungesë të gatishmërisë për të mbajtur premtimin e tij për qeverisje pa aktakuza, aktakuzat e prokurorisë po i quan tentativë për bllokim të Komunës që udhëheq duke thënë se këto aktakuza po ia pamundësojnë punën Komunës së Prizrenit.

Nga ana tjetër, Qeveria në dorëheqje e drejtuar nga Albin Kurti, së fundi ka marrë shumë vendime për shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Një nga aryet kryesore për këto shkarkime është theksuar të jenë dyshimet për keqpërdorime dhe ngritja e aktakuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare sikurse në rastin e Agron Thaçit, Drejtorit të INFRAKOS-it. / Lajme365

Asnjë koment

Comments are closed.