Tenderi 30 mijë euro ”i kurdisur” i Komunës së Suharekës
Komuna e Suharekës në aktivitetin e prokurimit të shpallur për blerjen e një automjeti të dializës vetëm sa nuk e kishte specifikuar tipin e automjetit dhe kompaninë fituese. Gjithçka “ishte kurdisur” në tender për ta blerë veturën e caktuar prej rreth 30 mijë eurosh, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Te kriteret e vendosura në dosjen e tenderit të Komunës së Suharekës për blerje të një automjeti të dializës për nevoja të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) mungonte pa u specifikuar vetëm tipi i automjetit dhe i kompanisë që do ta fitonte tenderin.
Gjithçka “ishte e kurdisur” në këtë aktivitet të prokurimi që të blihej një veturë e tipit “Volkswagen” (VW), e cila gjë edhe ndodhi.
Pas dy anulimeve të këtij tenderi, i cili herën e parë ishte shpallur më 2 gusht 2017 dhe ishte rishpallur më 5 tetor 2017, Zyra e Prokurimit e Komunës së Suharekës kishte shpallur fitues kompaninë “AHP” nga Prizreni për furnizim me veturë nga prodhuesi gjerman (VW), vlera e së cilës arrinte në 29.990 euro.
Ndërsa vetura ishte pranuar nga autoriteti kontraktues, përkatësisht nga Komuna e Suharekës, më 17 nëntor të vitit 2017.
Pas një hulumtimi të gjatë ka gjetur se specifikat e vendosura në dosje të tenderit nga Komuna e Suharekës kanë bërë që qysh në fillim të këtij aktiviteti të prokurimit të dihet edhe fituesi i tenderit, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Saktësisht në specifikacionin 34 të kësaj dosjeje të tenderit thuhej se gjatësia e automjetit duhet të jetë në minimum 5300 milimetra deri në 5320 milimetra, përderisa automjeti i përzgjedhur nga Komuna ka një gjatësi prej 5304 milimetra.
Edhe specifikacioni 35 i përshtatej veturës së prodhuesit gjerman (VW), pasi kërkohej që automjeti të jetë i gjerë prej 1900-1930 milimetra, derisa automjeti që tashmë është në shfrytëzim të QKMF-së së Suharekës ka një gjerësi prej 1904 milimetrash, saktësisht qysh kërkohej me tender.
Ndërsa specifikacioni 36 kërkonte që automjeti ta ketë një lartësi prej 1980-1998 milimetrash, ndërsa kjo veturë i ka 1990 milimetra.
Të gjithë ofertuesit tjerë do të diskualifikoheshin nga gara e këtij tenderi që kap vlerën prej hiç më pak se 30 mijë eurosh, pasi veturat tjera nuk i plotësojnë tri specifikat e vendosura nga autoriteti kontraktues.
Favorizimi i operatorëve ekonomikë përmes përdorimit të kritereve të specifikuara, sipas ekspertëve të fushës konsiderohet edhe vepër penale e shpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi që, siç thonë ata, me dashje është shkelur Ligji i Prokurimit.
Ligji i Prokurimit, përkatësisht pika 2 e Nenit 28, thotë qartë se autoritetit kontraktues i ndalohet t’i përcaktojë nevojat e veta që duhet të përmbushen, të specifikojë lëndën që do të prokurohet, t’i ndajë ose t’i përmbledhë sasitë ose artikujt e tjerë që duhet të prokurohen, duke zgjedhur një procedurë të prokurimit, ose duke vendosur një kërkesë, ose kriter të përzgjedhjes, ose specifikacion teknik, i cili në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë, ose të diskriminojë kundër njërit, ose më shumë operatorëve ekonomikë.
Komuna e Suharekës: U korrigjuan specifikimet teknike të tenderit
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), institucion ky që monitoron aktivitetet e prokurimeve të institucioneve qendrore dhe lokale, kishte vërejtur se me specifikat e vendosura të tenderit po favorizohet një automjet i caktuar, në kundërshtim me rregullat e prokurimit, me ç’rast i kishte kërkuar t’i ndryshojë specifikat e tilla.
Megjithatë, një kërkesë e tillë e KRPP-së ishte refuzuar nga Komuna e Suharekës sado që zyrtarët e prokurimit në këtë Komunë thonë se i kanë përfillur në tërësi rekomandimet e KRRPP-së.
“Ky proces i prokurimit është tenderuar dy herë. Një herë është anuluar për shkak të mungesës së çelësave të sistemit të e-prokurimit, përderisa herën e dytë është anuluar në mungesë të ofertave nga ana e operatorëve ekonomikë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit në Komunën e Suharekës.
“Projekti është udhëhequr përmes procedurës së prokurimit elektronik dhe janë disa operatorë ekonomikë që kanë shkarkuar dosjen, por dy prej tyre kanë dorëzuar ofertat, sepse projekti ka qenë i ndarë në 2 lote. Operatori ekonomik ‘AHP’ me çmimin prej: 29.990,00 është shpallur fitues për këtë projekt”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit, duke shtuar se Njësia e Prokurimit po ashtu ka korrigjuar specifikimet teknike pas kërkesës së Departamentit të Monitorimit të KRPP-së, se të njëjtat mund ta kufizojnë konkurrencën.
Gazeta ka kërkuar të dhëna më të detajizuara, por nuk ka arritur të marrë përgjigje të tilla nga Komuna e Suharekës.
Kompania fituese nuk përgjigjet
Gjatë këtij hulumtimi disamujor gazeta “Zëri” i është drejtuar Komunës së Suharekës me pyetje për informacione më të detajuara rreth këtij procesi, por as pas një muaj pritjeje nuk ka arritur t’i marrë përgjigjet e kërkuara nga ajo.
Në interesimin e gazetës “Zëri” për këtë tender nuk ka pranuar të përgjigjet as kompania fituese “AHP” nga Prizreni. Gazeta i është drejtuar kësaj të fundit edhe me pyetje konkrete në e-mailin zyrtar, por as pas disa ditë pritjesh nuk ka marrë përgjigje.
KRPP-ja zbuloi kriteret favorizuese
Në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), institucion ky që monitoron procesin e prokurimit të institucioneve të cilat financohen nga buxheti i shtetit, konfirmojnë se lidhur me aktivitetin e prokurimit: “Furnizim me automjet për dializë për nevoja të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare”, të zhvilluar nga Komuna e Suharekës, kanë lëshuar rekomandim për specifikacionin teknik, pasi përshkrimi i cili është përgatitur nga autoriteti përkatës mund të interpretohet si favorizim i një prodhuesi të caktuar.
“KRPP-ja gjatë monitorimit të dosjes së tenderit, përkatësisht specifikacionit teknik ka menduar se një përshkrim i tillë mund të ketë favorizime te ndonjë prodhues i veçantë. Ne sipas autorizimeve kemi kërkuar nga autoriteti kontraktues që këto specifikime të rishikohen se mos ka elemente favorizuese për ndonjë operator ekonomik ose prodhues, sepse përshkrimi në disa pozicione ka qenë, për shembull te pozicioni 32, te gjatësia mes boshteve, specifikimi ka qenë minimum 3380 milimetra dhe maksimumi 3415 milimetra, si dhe pozicione tjera”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
Por pavarësisht këtyre rekomandimeve të KRPP-së, autoriteti kontraktues nuk kishte ndryshuar fare specifikacionet në dosje të tenderit, të cilat favorizonin automjetet e këtij prodhuesi gjerman.
Në pyetjen se pse është lejuar që të zhvillohet një proces i prokurimit kur që në start vërehen specifika favorizuese, zyrtarë të KRPP-së në mënyrë indirekte të gjithë përgjegjësinë për këtë ia kanë lënë autoriteti kontraktues.
“Autoriteti kontraktues ka përgjegjësi të plotë për të vendosur se si t’i marrë parasysh këto rekomandime”, thuhet më tutje në përgjigjen e tyre.
Shkelja e Ligjit të Prokurimit
Nga KRPP-ja është kërkuar informacione më të detajizuara nëse specifikacionet e vendosura në dosje të tenderit favorizojnë një operator të caktuar ekonomik, mirëpo ata kanë thënë se përveç rekomandimeve të dhëna nuk kanë ekspert të lëmit përkatës nëse specifikimet janë në favor të ndonjë prodhuesi.
“Ashtu siç theksuam me lart, KRPP-ja ka lëshuar rekomandim për specifikimet teknike se a favorizojnë ose jo ndonjë operator ekonomik. KRPP-ja ka dhënë rekomandim për rishikim të këtyre specifikimeve, mirëpo theksojmë se ne nuk kemi ekspert të lëmit përkatës për vlerësim profesional se a është bërë ky specifikim në favor të ndonjë prodhuesi”, thuhet më tutje në përgjigjen e KRPP-së.
Në fund sipas zyrtareve të KRPP-së, favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomikë përmes vendosjes së specifikave të ndryshme e sanksionon edhe Ligji i Prokurimit Publik, Neni 7, Barazia ne Trajtim/ Jodiskriminimi, më saktësisht paragrafi 3, i cili thotë qartë se autoritetit kontraktues i ndalohet t’i përcaktojë nevojat e veta që duhet të përmbushen, të specifikojë lëndën që do të prokurohet, t’i ndajë ose t’i përmbledhë sasitë, ose artikujt e tjerë që duhet të prokurohen duke zgjedhur një procedurë të prokurimit, ose duke vendosur një kërkesë, ose kriter të përzgjedhjes, ose specifikacion teknik që në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë, ose të diskriminojë kundër njërit, ose më shumë operatorëve ekonomikë.
Metushi: Kriteret e përcaktuara favorizojnë një tip të caktuar të automjeteve
Diana Metushi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila ka një përvojë të gjatë në monitorimin e aktiviteteve të prokurimit nga agjencitë buxhetore, ka vërejtur se kriteret e tilla të përcaktuara nga Komuna e Suharekës edhe mund të mos e favorizojnë një operator të caktuar ekonomik, por thotë se ato e favorizojnë një tip të caktuar të automjeteve.
Sipas saj, nëse bëhet një hulumtim do të shihet se në bazë të 8 kritereve të para nga specifikat teknike, ka një rang të mbi 17 llojeve të furgonëve (kombi) të disponueshëm në treg.
“Megjithatë, kur shtojmë kriterin 9 ky numër bie në rreth 7 lloje. Kur shtojmë kriterin e 46 numri i furgonëve të disponueshëm bie në 5 dhe me shtimin e kritereve 34 deri në 37 numri i prodhuesve bie në 1 ‘Volkswagen’, ndërsa rangu i këtyre kritereve na jep si opsion veturën ‘Volkswagen Transporter (t5 dhe t6)’”, ka thënë ajo.
Metushi thotë se deri më tash është dëshmuar shumë herë se institucionet kanë përgatitur tenderë për operatorë të caktuar ekonomikë. Kemi shumë e shumë ankesa/vendime të OSHP-së të cilat dëshmojnë një gjë të tillë e që gjithashtu ky fenomen është prezent edhe në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit çdo vit.
Më tutje Metushi, nga KDI-ja, thotë se shkelja e Ligjit të Prokurimit duke favorizuar operatorë ekonomikë përmes përdorimit të kritereve të specifikuara mund të konsiderohet edhe vepër penale e shpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi me dashje ose dijeni kanë shkelur Ligjin e Prokurimit Publik.
Në lidhje me vendosjen e kritereve favorizuese nga Komuna e Suharekës në aktivitetin e lartpërmendur të prokurimit gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje edhe kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit nëse ndonjë prokuror ka hetuar këtë tender, por nga zyra e tij nuk i kanë kthyer gazetës kurrfarë përgjigje.