24-11-2024

Tërhiqet Isa Mustafa, s’kandidon për Shef të LDK’së

Isa Mustafa më në fund ka vendosur të tërhiqet nga gara për Kryetar të LDK’së. Burime të Express kanë thënë se lideri në largim i LDK’së u ka thënë në Kryesi se s’do të jetë kandidat. Të njëjtin qëndrim ua ka thënë edhe kryetarëve të Degëve me të cilët është takuar të enjten.

Nëse e mban fjalën që e ka dhënë në Kryesi të LDK’së atëherë Isa Mustafa s’do të jetë as kandidat për Shef të LDK’së.

Burime të Express kanë thënë se Mustafa u ka treguar anëtarëve të Kryesisë se nuk do të jetë kandidat edhe për një mandat për të udhëhequr partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

“Ka thënë se do të mbikëqyr procesin deri në fund. Por, na ka thënë se s’do të jetë kandidat për Kryetar të LDK’së”, ka thënë një anëtar i Kryesisë së LDK’së pa dashur t’i përmendet emri.

Njëra prej arsyeve për largim nga kreu i LDK’së, sipas burimeve, është edhe gjendja e tij shëndetësore.

Por, edhe mungesa e përkrahjes e konfirmuar nëpër sondazhe të ndryshme.

Ndërkohë, në garë kanë shfaqur ambicie për të hyrë Agim Veliu dhe Lutfi Haziri.

Por, në lojë po vazhdon të mbetet edhe Avdullah Hoti.

Sipas burimeve të Express Shefin e deputetëve të LDK’së përpos Isa Mustafës e përkrahin edhe Gazemend Muhaxheri, Imri Ahmeti dhe Kujtim Shala.

Ndërkohë, një pjesë e anëtarësisë së LDK’së po vazhdon ta përkrahin rikthimin e Fatmir Sejdiut. Nuk dihet nëse Fatmir Sejdiu ka përkrahjen edhe të delegatëve tjerë përpos Prizren, Gjakovë e Podujevë.

Express ka shkruar një ditë më parë se Agim Veliu s’po e fsheh më kandidaturën për Shef të LDK’së.

Edhe Lutfi Haziri ka muaj që e ka shpallur kandidaturën për pasardhës të Isa Mustafës.

Në zgjedhjet e fundit në LDK, Haziri kishte thënë se nuk po i hyn garës për ta marrë kreun e partisë pasi nuk po dëshiron ta rrëzojë Kryeministrin Mustafa nga pozita partiake.

Ndërsa, tash ka shfaqur ambicien për t’u bërë Shef i LDK’së por paraprakisht ka kërkuar një marrëveshje politike. Ka kërkuar unitet në parti për të mos pasur çarje pastaj. Ka shfaqur gatishmëri t’i bashkojë të gjitha grupet që aktualisht janë në parti, edhe t’i merr afër vetes themeluesit e partisë.

Vjosa Osmani, kohëve të fundit, ka refuzuar të flasë konkretisht se kur do t’i hyjë garës për Kryetare të Partisë. Në garën e fundit në LDK s’ishte lejuar as të kanidonte meqë nuk kishte kaluar garën në Këshill të Përgjithshëm të LDK’së.

Ndryshe, Isa Mustafa, kishte marrë LDK’në në fundin e vitit 2010, kur kishte mundur Fatmir Sejdiun. Prej atëherë, Mustafa ka shënuar tri humbje të zgjedhjeve nacionale, ka humbur Komunën e Prishtinës, por ka rikthyer disa komuna që me herët e kishte humbur LDK’ja përfshirë Pejën, Gjilanin e Lipjanin. Isa Mustafa ishte rizgjedhur Kryetar i LDK’së në mandatin e kaluar me aklamacion pasi nuk e kishin lejuar të kishte kundërkandidat. Vjosa Osmani kishte dështuar të mblidhte nënshkrimet për ta sfiduar Mustafën.

Vitin e kaluar, Shefi i LDK’së kishte pasur probleme shëndetësore derisa ishte trajtuar Gjermani. Gjatë gjithë kohës, LDK ishte udhëhequr prej Nënkryetarëve të Partisë. Aktualisht, LDK ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament dhe numrin më të madh të Komunave.

Krejt këto zhvillime po ndodhin në kohën kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Ëashingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendi. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale./GazetaExpress

Asnjë koment

Comments are closed.